Senatori amerikan e përball Smithin për Thaçin: Pasi humbët rastet e mëdha në ShBA, shkuat në Hagë?
Ish-kryeprokurori i Dhomave të Specializuara të Hagës, Jack Smith, ka vazhduar sot dëshminë e tij para Komitetit Gjyqësor të Senatit amerikan, ku është përballur me pyetje të shumta nga senatorë republikanë.
Seanca dëgjimore është fokusuar në hetimet dhe ndjekjet penale që Smith kishte ndërmarrë ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, ndërsa republikanët e kanë akuzuar atë për abuzim me detyrën zyrtare.
Gjatë marrjes në pyetje, debati është zhvendosur edhe te e kaluara profesionale e Smithit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Senatori republikan Eric Schmitt e ka pyetur Smithin për periudhën kur ai kishte shërbyer si kryeprokuror i Speciales dhe kishte ndjekur penalisht ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Mirë. Pasi humbët të gjitha këto raste të profilit të lartë në Amerikë, ju shkuat në Hagë, e saktë? Dhe ndoqët penalisht Presidentin e Kosovës në vitin 2020?”, e pyeti Schmitt.
Smith u përgjigj shkurt: “Po, dhe ai sapo është dënuar për mbi 300 akte torture dhe 96 vrasje”.
Pas kësaj, Schmitt vazhdoi me një tjetër pyetje të drejtpërdrejtë.
“Dhe pastaj ju patët mundësinë të ktheheni për të kapur Trumpin, a është kështu?”, tha senatori republikan.
Shkëmbimi mes Schmitt dhe Smith solli kështu në vëmendje edhe rolin e ish-kryeprokurorit amerikan në Dhomat e Specializuara, ku ai kishte qenë në krye të ndjekjes penale ndaj Hashim Thaçit.
Smith më pas ishte rikthyer në Shtetet e Bashkuara, ku kishte marrë rol në hetimet dhe ndjekjet penale ndaj Donald Trumpit./Telegrafi.
– YouTube www.youtube.com



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.