Aktivitete edukative dhe interaktive për Javën Evropiane të Trashëgimisë Kulturore
Në kuadër të Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë ka bërë publik programin e aktiviteteve edukative dhe interaktive që do të zhvillohen përgjatë këtyre ditëve në Tiranë, Peshkopi dhe Kavajë.
Programi synon ta sjellë trashëgiminë kulturore më pranë komunitetit dhe veçanërisht brezit të ri, përmes kombinimit të përvojave praktike, interpretimit historik dhe përdorimit të teknologjisë digjitale.
Mozaiku i Tiranës mirëpriti nxënësit e shkollës “Qemal Stafa” në një aktivitet edukativ dhe interaktiv, ku trashëgimia arkeologjike do të përjetohet përmes ndërthurjes së interpretimit digjital me përvojën praktike.
Aktiviteti nis me një eksperiencë virtuale, përmes së cilës nxënësit do të eksplorojnë historinë e sitit, mozaikët dhe gjurmët arkeologjike që dëshmojnë zhvillimin e tij ndër vite.
Më pas, përmes aktivitetit “Arkeologu i vogël”, nxënësit do të njihen në mënyrë të përshtatur me procesin e kërkimit arkeologjik, nga vrojtimi dhe evidentimi, te zbulimi, dokumentimi dhe interpretimi i gjurmëve materiale të së kaluarës.
Përvoja do të plotësohet me një punëtori krijuese artizanale, ku fëmijët do të realizojnë me rruaza motivin e logos së Mozaikut të Tiranës. Përmes ngjyrës, ritmit dhe kompozimit të elementeve të vogla, ata do të afrohen në mënyrë krijuese me vetë parimin e ndërtimit të mozaikut, duke e shndërruar një simbol të trashëgimisë në një objekt të realizuar prej tyre.
Kulla e Zunës, në fshatin Sohodoll, shndërrohet në një hapësirë të hapur edukimi për nxënësit e shkollës 9-vjeçare të fshatit. Ora mësimore do të zhvillohet pranë monumentit, duke e kthyer vetë trashëgiminë e ndërtuar në një burim të drejtpërdrejtë njohjeje dhe interpretimi.
Përmes vëzhgimit të arkitekturës së kullës, teknikave tradicionale të ndërtimit, materialeve, organizimit hapësinor dhe kontekstit historik e territorial, nxënësit do të njihen me vlerat arkitektonike, historike dhe kulturore që mbart monumenti.
Aktiviteti synon të nxisë te brezi i ri një kuptim më të drejtpërdrejtë të monumentit si pjesë e trashëgimisë së gjallë, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e dokumentimit, ruajtjes, konservimit dhe transmetimit të saj ndër breza.
Ndërsa Kalaja e Bashtovës do të shndërrohet në një hapësirë interpretimi, ku vizita në monument do të ndërthuret me teknologjinë digjitale për të ofruar një mënyrë bashkëkohore të njohjes së trashëgimisë.
Përmes turit virtual, vizitorët do të njihen me arkitekturën fortifikuese, organizimin hapësinor, teknikat tradicionale të ndërtimit dhe zhvillimin historik të kalasë.
Eksperienca do të sjellë në vëmendje edhe marrëdhënien e monumentit me territorin, lumin Shkumbin dhe Adriatikun, duke e lexuar Kalanë e Bashtovës jo vetëm si një strukturë fortifikuese, por edhe si dëshmi të zhvillimeve historike, rrugëve të komunikimit dhe marrëdhënies së njeriut me territorin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.