AKU bllokon mbi 80 ton produkte ushqimore, gjobit edhe dy subjekte
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU ka dalë me një njoftim ku ka bërë me dije se ka kryer 128 inspektime në të gjithë vendin gjatë datave 26-27 nëntor, duke konstatuar shkelje të sigurisë ushqimore dhe vendosur masa administrative ndaj disa subjekteve.
Sipas njoftimit, nga kontrollet janë vendosur katër masa administrative me paralajmërim për problematika që lidhen me sistemimin e ambienteve dhe rinovimin e raporteve të provave. Gjithashtu, dy subjekte janë gjobitur me një vlerë totale prej 400 mijë lekësh.
Në Durrës është bllokuar një ngarkesë prej 25.48 tonë misër. Pas analizave laboratorike që konfirmuan praninë e Aflatoksinës B1 mbi normën e lejuar.
Në Beratit, AKU ka ushtruar kontroll në një subjekt për konservimin dhe ambalazhimin e frutave dhe perimeve. Për shkak të kushteve të papërshtatshme higjieno-sanitare, është vendosur masa urgjente e ndërprerjes së aktivitetit, si dhe bllokimi i 11 produkteve ushqimore në një sasi totale prej 63.422 tonë.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të transparencës dhe informimit të publikut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton mbi rezultatet e kontrolleve zyrtare të ushtruara në rang vendi gjatë datave 26.11.2026 – 27.11.2026.
Gjatë kësaj periudhe, trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë inspektuar në total 128 subjekte, nga të cilat 48 subjekte me origjinë shtazore, 49 subjekte me origjinë joshtazore dhe 31 subjekte MBIB (Produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore).
Nga inspektimet e kryera, për problematikat e evidentuara janë marrë 4 masa administrative me “paralajmërim”, me qëllim sistemimin e ambienteve dhe rinovimin e raport-provave.
Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara gjatë kontrolleve zyrtare, janë vendosur 2 masa administrative me “gjobë”, në vlerën totale prej 400.000 lekësh.
Konkretisht nga DRAKU Tiranë:
Masë administrative me “gjobë” në vlerën 100.000 lekë ndaj subjektit “Redian Dobruna”, për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.
Masë administrative me “gjobë” në vlerën 300.000 lekë ndaj subjektit “Pronatyra treg”, për hedhje në treg të ushqimit të pasigurt.
Përsa i përket masave të tjera të marra gjatë kësaj periudhe, janë aplikuar 2 raste të bllokimit të produkteve, në një sasi totale prej 88.9 ton, 1 rast i ndërprerjes së aktivitetit, si dhe është realizuar 1 rast asgjësimi për një sasi prej 27.86 ton, me kërkesë të vetë subjektit.
Në qarkun Durrës, trupat inspektuese të DRAKU Durrës kanë bllokuar një sasi prej 25.48 ton misër (ushqim për kafshë) të subjektit “Besniku shpk” të importuar nga Pika e Kalimit Kufitar (PIK) Hani i Hotit, në bazë të Planit tre-mujor të Monitorimit për Produktet e Importit, ngarkesa ka kaluar me bllokim në ambientet e magazinimit deri në daljen e përgjigjeve të analizave laboratorike.
Pas njoftimit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme, se treguesit e analizave laboratorike kanë rezultuar mbi normën e lejuar për praninë e Aflatoksinës B1, trupat inspektuese kanë kryer kontrollin përkatës dhe i kanë lënë detyrë subjektit mbajtjen e produktit të bllokuar deri në kthimin e tij në vendin e origjinës.
Në qarkun Berat, trupa inspektuese e AKU-së, në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, ka ushtruar kontroll pranë subjektit “Sybi Ametbeja”, me aktivitet “Fruta-Konservim/Ambalazhim”.
Gjatë kontrollit është vendosur masa urgjente e bllokimit për 11 produkte ushqimore, në një sasi totale prej 63.422 ton deri në daljen e përgjigjeve të analizave laboratorike.
Produktet e bllokuara janë:
Trangull marinadë – 13,518.6 kg
Komposto pjeshke – 8,624.08 kg
Salcë domate – 1,198.08 kg
Speca marinadë – 9,945.2 kg
Spec djegës – 4,467.954 kg
Komposto kumbulle – 16,503.22 kg
Komposto qershie – 1,205.54 kg
Fërgesë – 947.652 kg
Sallatë e përzier – 6,312.4 kg
Trahana – 500 kg
Uthull – 200 kg
Masa e bllokimit dhe marrja e mostrave për secilin produkt janë realizuar në zbatim të nenit 46 të Ligjit nr. 99/2024, datë 12.09.2024, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Gjithashtu, në zbatim të nenit 46, pika 1, të po këtij ligji, për shkak të kushteve të papërshtatshme higjieno-sanitare të konstatuara në ambientet e subjektit, është marrë masa urgjente e ndërprerjes së aktivitetit deri në plotësimin e kërkesave ligjore brenda afatit kohor të përcaktuar. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet i angazhuar në vijimin e kontrolleve zyrtare dhe bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha organet ligjzbatuese si dhe në reagim të menjëhershëm ndaj çdo problematike që mund të cenojë sigurinë ushqimore dhe informimin e publikut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.