AKUK paralajmëron lavazhot: Deri në 31 tetor keni afat të shkëpusni lidhjet e ujit, ndryshe…
Të gjithë lavazhet në vend kanë afat deri më 31 tetori për ndërprerë përdorimin e ujit të pijshëm në aktivitetin e tyre.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime thotë se është i ndaluar përdorimi i ujit të pijshëm për këtë aktivitet, ndaj ju bën thirrje këtyre subjekteve që të sigurojnë një burim alternativ furnizimi.
“Thirrja jonë është e qartë: Mos prisni kontrollin. Merrni masat brenda 31 tetorit. Pas kësaj date do të intensifikohen kontrollet dhe do të zbatohen masat administrative të parashikuara nga ligji”, tha Drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka.
Kontrollet do të zhvillohen në të gjithë vendin. Çdo rast do të dokumentohet dhe për çdo shkelje do të ndiqen procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
“Ndërhyrja e paligjshme në rrjet është vepër penale. Çdo lidhje e paligjshme që do të konstatohet do të dokumentohet dhe do t’u referohet organeve kompetente.
Pa përjashtim. Rrjeti publik i ujit të pijshëm është pasuri e përbashkët dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në të në mënyrë të paligjshme.”, tha drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka.
Ndërhyrjet e paligjshme rrisin humbjet, mund të ndikojnë në presionin dhe funksionimin normal të rrjetit dhe cenojnë furnizimin e qytetarëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.