Kryebashkiaku i San Diegos i përgjigjet Trump-it: “Nuk jemi dëmi kolateral i luftës suaj”
Kryebashkiaku i San Diegos, Todd Gloria, i është përgjigjur ashpër presidentit Donald Trump, pasi ky i fundit tha në një miting në Nebraska se Irani do të ishte i mirëpritur “ta shfarosë” Los Anxhelosin dhe San Diegon, siç njofton Al Jazeera në liveblog-un e sotëm.
“San Diego nuk është dëmi kolateral. Ne nuk jemi të shpenzueshëm. Dhe ne nuk jemi kurrë një ‘çmim i vogël për t’u paguar’,” shkroi Gloria në X në orën 4:23 të mëngjesit të së martës, duke i kërkuar presidentit ta mbajë qytetin e tij “larg retorikës së pamatur të luftës”.
Trump, duke folur të hënën për sakrificat ekonomike të kohës së luftës, kishte thënë: “Është një çmim i vogël për ta mbajtur botën të sigurt, për ta mbajtur vendin tonë të sigurt. Ata mund të shfarosin Los Anxhelosin dhe San Diegon.”
Deklarata shkaktoi reagime të menjëhershme: guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e quajti presidentin “të çmendur”, kryebashkiakja e Los Anxhelosit, Karen Bass, reagoi po ashtu, ndërsa republikani Jim Desmond, kandidat për Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, u distancua duke thënë se “nuk pajtohet ashpër” me komentet e Trump-it.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.