Akuza: Stairway to Heaven u vodh
Ka më shumë se 4 dekada që është hedhur në treg, është dëgjuar me miliona herë nga miliona fansa, përmes kasetave fillimisht, CD më vonë dhe platformave sociale së fundmi.
“Stairway to Heaven”, njëra prej hiteve muzikore më të dëgjuara dhe ndër kryeveprat e Ledd Zeppelin, ka dërguar në gjykata kitaristin Jimmy Page dhe këngëtarin Robert Plant.
Që të dy ata janë paditur nga një përfaqësues i një anëtari të bandës Spirit, që thotë se Ledd Zeppelin kanë vjedhur “Stairway to Heaven” nga kënga e tyre “Taurus”.
Stairway to Heaven është realizuar në vitin 1971, ndërsa Taurus në vitin 1967.
Seanca e parë gjyqësore nisi me jurinë duke dëgjuar disa performanca të të dy këngëve, ndërkohë që për përfaqësuesin e Spirit, gjithçka është e qartë, Ledd Zepelin kanë vjedhur.
“Page dhe Plant janë që të dy artistë të shkëlqyer, muzikantë të shkëlqyer, por morën muzikën dhe veprën e një tjetri dhe u përpoqën ta bëjnë të tyren”, tha avokati Francis Malofiy, që përfaqëson një anëtar të bandës Spirit, që ka vdekur në vitin 1996.
Avokati i Ledd Zeppelin u mbrojt duke thënë se kënga është krijuar në Uells pa marrë asnjë notë nga Taurus, madje pa qenë në dijeni të kësaj kënge.
“Nuk ka asnjë provë që ata kanë dëgjuar Taurus, deri një dekadë pasi kishin krijuar Stairway to Heaven”, deklaroi për llogari të bandës së famshme muzikore, avokati Robert Anderson.