Akuzohet Mark Frroku: Fshehu trafikantin në makinën e tij
Televizioni ABC News afër opozitës publikoi dje një dokument ku deputeti Mark Frroku, i vënë kohët e fundit në qendër të vëmendjes për përplasjen me Doshin, akuzohet si i implikuar në pengimin e një operacioni policie për kapjen e një të akuzuari për trafik droge.
Nisur nga faktet që lexohen aty Bardhok Planaj, personi i shpallur në kërkim që dyshohet si kreu i trafikut të drogës gjatë aksionit të njohur si operacioni “Viluni”, i ka shpëtuar arrestit të policisë mesnatën e datës 1 dhe 2 tetor 2014, duke qene i fshehur në makinën e deputetit Mark Frroku – raporton ABC. Në dokumentin e prezantuar si proces-verbal policor sekret lexohet emri i Frrokut, por televizioni akuzon se:
“Policia shqiptare ka patur dijeni për këtë fakt dhe ka heshtur dhe prej saj nuk është bërë publik emri i deputetit të mazhorancës. Jo vetëm kaq, por duke qenë në dijeni që prej më shumë se 5 muajsh ai nuk është thirrur për t’u pyetur asnjëherë nga policia dhe nga prokuroria”. Më pas, në raportimin e ABC Neës kjo lidhet me besueshmërinë e Frrokut në çështjen Doshi. Sipas kanalit në fjalë “ky qëndrim e kompromenton rëndë procesin dhe ngre pikëpyetje edhe për deshminë e deputetit Froku në çështjen “Doshi”. Aludimet janë se Froku, duke qenë nën presionin e ngjarjes së tetorit të vitit të kaluar, mund të ketë ndryshuar dëshminë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda”.Sorry, there are no polls available at the moment.
Dokumenti
Sipas dokumentit të siguruar nga ABC News, akuzohet se deputeti Mark Frroku ka strehur në makinën e tij një person të shumëkërkuar nga policia, i dyshuar si organizator i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës. Ky është Bardhok Planaj, personi i shpallur në kërkim pak kohë pas aksionit të njohur si “Operacioni i Vilunit” në zonën e Shkodrës. Planaj i ka shpëtuar arrestit të policisë mesnatën e datave 1 dhe 2 tetor 2014, pasi rezultoi i fshehur në makinën e deputetit Mark Frroku. Në procesverbal, thuhet se Pllanaj gjatë gjithë ditës së 1 tetorit 2014 ishte nën vëzhgim, ku përshkruhen me detaje lëvizjet e tij, makinat që ka ndërruar si dhe lokalet që ka frekuentuar. Vetëm në darkë, referuar këtij procesverbali, i dyshuari është afruar në lokalin Antika tek Shallvaret me makinën e deputetit Mark Frroku. Rreth orës 1 pas mesanate të datës 2 tetor, makina e deputeti Frroku është nisur në drejtim të Laprakës, ku policia, nga frika e largimit të personit të shpallur në kërkim, organizoi një postbllok në Kamëz, pranë Bulavardit Blu.
Në momentin që makina afrohet, policia e ndalon atë, por nuk mundet të hapë dyert që ishin të bllokuara nga brenda. “…Rreth dy minuta automjeti ka qëndruar pa lëvizur dhe dyert janë konstatuar nga ana jonë të mbyllura, më pas nga pjesa e pasme e automjetit është ulur xhami i krahut të pasagjerit dhe një person rreth moshës 40- 45 vjeç i veshur me kostum ngjyrë blu e errët është prezantuar si deputet i parlamentit të Shqipërisë me emrin Mark Frroku, pas kontaktit vizual i njohur nga ana jonë, ai gjithashtu ka sqaruar shprehimisht ndër te tjera se: Automjeti mund të kontrollohet vetëm me vendim të parlamentit pasi unë jam deputet, automjeti është në pronësinë time”, shkruhet në procesverbalin e policisë, të nënshkruar nga nëntë persona, të cilët më pas e kanë lënë të lirë makinën bashkë me pasagjerët e saj. Nga ana e policisë i është bërë e ditur deputetit Frroku se personi që ndodhet në makinë duhet të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë, por pas kundërshtisë së deputetit Frroku, agjentët e vëzhgimit kanë komunikuar me specialistin e sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pemën, duke e vënë në dijeni për kundërthimin e deputetit Frroku. I gjithë ky debat ka zgjatur për më shumë se 20 minuta dhe më pas agjentët janë larguar, duke lënën të lirë Bardhok Planajn. Referuar hetimeve të prokurorisë për Krime të Rënda, për operacionin e Vilunit janë arrestuar 7 persona dhe është bllokuar një skaf me rreth 800 kg hashash nga policia malazeze, pas njoftimit nga pala shqiptare.
Frroku mohon akuzat, Berisha sulmon qeverinë
Deputeti Mark Frroku, i pyetur dje nga media, i ka hedhur poshtë akuzat që bëhen në dokumentin, që me shumë gjasë ka “rrjedhur” nga prokuroria. Frroku mohoi që të bëhej fjalë për të në dokumentin e prokurorisë: “Më lini të bëj jetën time. Nuk i komentoj shpifësit. Nuk kam asnjë lidhje me ato akuza dhe meqë ra fjala kush qenkan ata që më akuzokan…?” – tha ai. Por ish-kryeministri Berisha reagoi ashpër duke sulmuar qeverinë, se ka fshehur krimin: “Vilunit i doli tymi! Policia ndaloi në makinen e deputetit Mark Frroku bosin e drogës, Bardhok Planaj, Rama e liroi atë. Gjatë operacionit antitrafik të policive shqiptare, italiane dhe malazeze në zonën e Velipojës, i koduar si operacioni “Viluni”, u kapën rreth 804 kg kanabis, qindra fishekë, dhjetra mijëra euro etj etj. Në këtë operacion policia arrestoi 7 anetarë të rrjetit, por nuk arrestoi dot bosin e rrjetit, Bardhok Planaj, sepse ky i shpëtoi policisë, pasi kaloi në makinën e deputetit Mark Frroku, i cili ndiqte me makinën e tij karvanin e trafikut të drogës”- u shpreh Berisha. Sipas tij, ky akt u mbajt fshehur rreth 6 muaj nga pushtetarët e niveleve më të larta çka dëshmon lidhjen e tyre direkte me krimin dhe Mark Frroku tani përdoret me sukses në procesin e hetimit të skenarit të Ilir Metës të vrasjes së 2 deputetëve, si dëshmitar i rremë!!”.