Alarmi për Zhegrovën zgjat pak, në Itali raportojnë se nuk bëhet fjalë për lëndim serioz
Edon Zhegrova mund të rikthehet shumë shpejt në fushë: sipas raportimeve nga Italia, lëndimi që e detyroi të largohej nga grumbullimi i Kosovës nuk është serioz dhe sulmuesi pritet të kthehet në stërvitje të mërkurën.
Edon Zhegrova mund të rikthehet shumë shpejt në fushën e gjelbër, pasi raportimet e fundit nga Italia kanë sjellë lajme pozitive për gjendjen e tij fizike, siç njofton Telegrafi.
Sulmuesi i Kosovës u detyrua të largohej nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të një lëndimi, duke humbur kështu ndeshjen e rëndësishme të mbrëmjes së sotme ndaj Irlandës në Dublin.
Megjithatë, sipas raportimit të mediumit italian “Gazzetta dello Sport”, të cituar nga Telegrafi, gjendja e futbollistit të Juventusit nuk është shqetësuese dhe nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz.
Zhegrova pritet të rikthehet në stërvitje që të mërkurën, fillimisht duke punuar i ndarë nga pjesa tjetër e skuadrës, e më pas, në varësi të gjendjes së tij fizike, mund t’u bashkohet plotësisht bashkëlojtarëve.
Futbollisti kosovar do t’u nënshtrohet edhe ekzaminimeve mjekësore për ta vlerësuar më saktë gjendjen e tij, por në Itali mbizotëron optimizmi për një rikuperim të shpejtë. Madje, nuk përjashtohet mundësia që Zhegrova të jetë në dispozicion të Juventusit për ndeshjen e radhës ndaj Venezias.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.