Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Irlandës, Foda me shumë ndryshime
Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime ndaj Irlandës: Muric rikthehet në portë, 19-vjeçari Kurtulus mund të debutojë dhe skema kthehet në 3-5-2.
Kosova përballet sot, të martën, me Irlandën në Dublin, në ndeshjen e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, dhe trajneri Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar, siç njofton Telegrafi.
Në portë pritet rikthimi i Arijanet Muricit mes shtyllave, në vend të Amir Saipit, i cili ishte titullar në barazimin pa gola ndaj Izraelit në Prishtinë. Në mbrojtje, 19-vjeçari Bleon Kurtulus mund të debutojë me fanellën e Kosovës, duke zënë vendin e Kreshnik Hajrizit në treshen e mbrojtjes, së bashku me Lindrit Kamberin dhe Ilir Krasniqin.
Në mesfushë priten rikthimet nga minuta e parë të Elvis Rexhbeçajt dhe Lindon Emërllahut. Emërllahu pritet të zërë vendin e Veldin Hoxhës, i cili mungon për shkak të suspendimit, ndërsa Rexhbeçaj pritet të marrë më shumë përgjegjësi në organizimin e lojës së bashku me Leon Avdullahun. Në krahë pritet të jenë Dion Gallapeni dhe Mërgim Vojvoda, ndërsa në sulm Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani. Asllani rikthehet në formacion pasi e nisi nga banka ndeshjen me Izraelin, duke zënë vendin e Milot Rashicës. Edon Zhegrova është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit.
Pritet edhe ndryshim i skemës taktike: ndaj Izraelit Kosova luajti 3-4-3, ndërsa ndaj Irlandës Foda pritet t’i rikthehet skemës 3-5-2, me të cilën Dardanët kanë pasur shumë sukses në të kaluarën. Ndeshja luhet në “Aviva Stadium”, është e fundit e Grupit B3 në Ligën e Kombeve dhe Dardanëve u mjafton barazimi ose fitorja për pozitën e dytë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.