Te ndryshme

Aleksandri i Madh: varri misterioz i familjes mbretërore

Arkeologji

Në Veri të Greqisë arkeologët kanë zbuluar një varr historik. Anëtarët e familjes së Aleksandrit të Madh mund të jenë atje – apo mos ndoshta edhe vetë mbreti legjendar?

*Takis Tsafos

alexPërmasa e enigmës rreth një varri misterioz në Veri të vendit, sa vjen e po njeh dimensione edhe më të mëdha së fundmi në Greqi. Kush gjendet në varrin që vjen nga koha e mbretit legjendar maqedonas, Aleksandër?

Ekipe televizive ndërkombëtare, si dhe qindra kureshtarë e turistë, vërshojnë çdo ditë në rajonin rreth qytezës së vogël të Amfipolisit në provincën veriore greke të Maqedonisë. Shefi i qeverisë greke, Antonis Samaras, vizitoi gjatë javës së shkuar sitin arkeologjik antik dhe foli për një “zbulim jashtëzakonisht të rëndësishëm”. Qysh prej atij momenti, tashmë në rajonin në fjalë po mbizotëron kureshtja e ankthi i pritjes për të zbuluar se çfarë fshihet nën të. Një gjetje sensacionale?

Shtypi grek ndërkohë po i kushton zbulimit faqe të tëra. Të gjithë po presin që të gjejnë më në fund se çfarë fshihet pas enigmës. “Unë dua të jem aty kur të vijë momenti i madh”, tha një banor në televizionin publik grek. Pranë tij qëndronin turistë që fotografonin me teleobjektivat e tyre kodërzën rreth 30 metra të lartë të kompleksit të varrit.

Shpresa për shikim në brendësi

Ministria greke e Kulturës publikoi fotoimazhe nga hyrja e liruar tashmë e varrit. Dy statuja sfinksesh me një masë prej 1,5 tonësh të rëndë, mbrojnë hyrjen në brendësi të varrit. “Në një pikë të caktuar kohore, e cila nuk është shumë larg, ne do të kemi një imazh më të plotë të brendësisë së varrit”, tha ministri i Kulturës së Republikës Helenike, Konstantinos Tasoulas. Ai foli për një “shpërthim interesi të mediave në mbarë botën”. Përparësi megjithatë, sipas tij, kanë arkeologët.

Policia e ka bllokuar në një distancë të largët të gjithë sipërfaqen e rrethuar nga një mur dheu prej rreth 500 metrash në formë rrethi. Kamionët e transportit lëvizin ndërkohë dhe largojnë qindra tonelata dhera nga vendvarrimi. Shqetësimi më i madh i arkeologëve është se për shkak të shpejtësisë me të cilën po kryhen gërmimet, mos rrëzohet mbulesa e varrit.

Derisa të hyhet në brendësi të varrit, nuk mund të themi dot gjë, paralajmërojnë ekspertët. Arkeologët amatorë megjithatë, nuk mbahen dot. Është përhapur thashethemi se në atë vendvarrim mund të gjenden trupat e anëtarëve të familjes mbretërore të Aleksandrit të Madh apo të admiralit të tij, Nearchos. Banorët e rajonit janë të mahnitur dhe spekulojnë madje se aty mund të jetë edhe vetë trupi i Aleksandrit të Madh.

Aleksandri duhet të jetë varrosur në Egjipt

varri-aleksandrit1Qyteza e vogël e Amfipolisit, në epokën e Aleksandrit të Madh, ka qenë ndër qendrat më të rëndësishme të Marinës së Perandorisë Maqedonase. Përveç saj, në rajon ka pasur edhe miniera ari.

Aleksandri i Madh vdiq në vitin 323 para Krishtit në Babiloni, në Irakun e sotëm. Mbetjet e tij mortore duhet të jenë zhvendosur së pari në mauzoleumin e tij në Egjipt. Qysh prej epokës së vonë antike, megjithatë, nuk gjenden më gjurmë nga varri i tij. Në dekadat e shkuara, zbulues dhe arkeologë të ndryshëm pretendojnë se e kanë gjetur varrin e tij në oazin egjiptian Siva, në Aleksandri, por edhe në Uzbekistan dhe madje, edhe në Australinë veriore.

“Mbishkrimet dhe objektet janë ato çka na tregojnë se kush është në varr”, shpjegoi arkeologia greke, Eleni Stylianou. Përveç tyre, është shumë e rëndësishme që varri të mos jetë dëmtuar dhe të mos jetë grabitur. Në hyrjen e varrit, që për momentin po lirohet, duket se ka gjurmë të këtyre veprimtarive. Por ekziston frika se grabitësit e varrit gjatë kërkimit për ar dhe ornamente e zbukurime, të kenë depërtuar në pjesën e sipërme të kodrës. “Por këtë do ta shohim më vonë.”

Gjeologët thanë për mediat greke se ata kanë zbuluar tri dhoma apo guva të mëdha në varr, me ndihmën e ultratingujve. Arkeologia përgjegjëse e Ministrisë greke të Kulturës në atë rajon, Katerina Peristeri, shpjegoi se zbulimi është shumë i rëndësishëm dhe se vjen nga shekulli i katërt para Krishtit. Më shumë, ajo nuk dëshiron të thotë. Derisa të zgjidhet enigma e varrit, turistët, ekspertët dhe arkeologët amatorë duhet të bëjnë durim.

*Korrespondent i agjencisë

gjermane të lajmeve DPA

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button