Alessandro D’Oria do të jetë drejtori i ri Bankës Intesa Sanpaolo Albania
Aktualisht, Alessandro D’Oria mban detyrën e drejtorit të Departamentit të Bankingut me Pakicë (Retail) dhe Menaxhimit të Pasurisë në Divizionin e Filialeve Ndërkombëtare të Grupit Intesa Sanpaolo. D’Oria është bërë pjesë e grupit bankar milanez Intesa që në vitin 2004, para bashkimit me grupin torinez Sanpaolo IMI. Ai ka mbajtur detyra të drejtuesit Rajonal për rajonet e Kalabrisë dhe Puljes, fillimisht për Intesa dhe pas vitit 2007 për grupin Intesa Sanpaolo. Në vitin 2015 u emërua drejtor rajonal për zonën e Milanos, ndërsa në vitin 2017 mori pozicionin e drejtorit të Retail në Divizionin Ndërkombëtar të Grupit. Në shkurt 2020, paralelisht iu la njëkohësisht edhe drejtimi i Departamentit të Menaxhimit të Pasurisë.
D’Oria do të pasojë në krye të filialit shqiptar Silvio Pedrazzi, i cili pas afërsisht tetë vitesh në detyrë ka vendosur të tërhiqet dhe të dalë në pension. Pedrazzi e drejtoi bankën Intesa Sanpaolo në një fazë delikate, kur sistemi bankar u përball me nevojën për të menaxhuar një nivel në rritje të kredive me probleme dhe shumica e bankave të huaja mbajtën pozita të kujdesshme, duke u fokusuar kryesisht në përmirësimin e cilësisë së portofolit dhe duke shmangur ekspozimet me rrezik të lartë. Megjithatë, ndryshe nga shumica e bankave të tjera me kapital të huaj, Intesa Sanpaolo nuk ka pësuar tkurrje në pjesën e saj të tregut gjatë periudhës që u drejtua nga Pedrazzi. Nga 11.7% që të aktiveve të tregut bankar që zotëronte në fund të vitit 2013, në mars 2021 Intesa Sanpaolo zotëronte rreth 12% të tregut, duke u renditur banka e katërt më e madhe në Shqipëri.
Ndryshimi në krye të bankës vjen në një moment kur ekonomia shqiptare ka kaluar momentin më të vështirë të pandemisë dhe është e orientuar drejt një kthimi drejt rritjes pozitive. Mbashtetur në të dhënat më të fundit të vetë bankës, D’Oria do të trashëgojë një bankë në gjendje të mirë, me një raport të kredive me problem që në fund të shkurtit 2021 ishte në nivelin 3.8%, më pak se gjysma e mesatares së këtij tregues për gjithë sektorin bankar.
Viti 2020 u mbyll me një fitim neto prej afërsisht 1.3 miliardë lekësh, ndërsa edhe tremujori I 2021 rezultoi pozitiv, me një fitim prej 459 milionë lekësh.
Në mars 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania kishte 35 degë dhe 655 punonjës