Alibeaj: Të dhënat e komunikatës u fshehën me urdhër të Ramës
Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një dalje para mediave tha se “të dhënat e komunikatës së Policisë së Elbasanit në lidhje me arrestimin e Orest Sotës, u fshehën me urdhër të Edi Ramës”.
“Të kujt janë 863 mijë euro? Pse Edi Rama, Fatmir Xhafa dhe Haki Çako urdhëruan policinë t’i fshehë të dhënat nga komunikata? Të gjitha rrethanat tregojnë se këto para i përkasin të njëjtin person që i përkasin edhe patentat e lundrimit. Janë të Saimir Tahirit. 863 mijë eurot dhe patentat e lundrimit, janë pikërisht provat që kërkon drejtësia që faktojnë impilikimin në trafik droge të Sajmir Tahirit. Ja pse Edi Rama e mbron Tahirin nga arrestimi, me anë të imunitet parlamentar. Sepse Edi Rama ka marrë përsipër t’i zhdukë këto prova sipas paktit Rama-Tahiri: Saimir Tahiri të mos arrestohet, me kusht që të mos flasë e të mos i marrë me vete të gjithë, me kryeministër, ministra, drejtorë policie etj. Tani një prej provave, 863 mijë euro dhe dy patentat e lundrimit për tonazh 20 dhe 100 ton, të nxjerra nga banesa e Saimir Tahirit, sipas skemes për t’i larguar e siguruar në vende të ndryshme, u kap. Janë 863 mijë euro të Saimir Tahirit, përfitim nga trafiku i drogës dhe dy patenta lundrimi, provë e posedimit të skafeve të përdorur sic ka ndodhur dhe me makinën e famshme nga Habilajt, cka Tahiri e ka mohuar publikisht”, shtoi Alibeaj.