Ambasada e SHBA mbështet dënimin e personave që trafikonin shtetas shqiptarë në SHBA
Ambasada e SHBA në Tiranë mbështet dënimin e djeshëm të pesë personave për trafik të qënieve njerëzore, të cilet në mënyrë të jashteligjme dhe te strukturuar si organizatë kriminale, bënin të mundur hyrjen e paligjshme në Shtetet e Bashkuara të më shumë se 600 shtetasve shqiptarë.
Ambasada e SHBA në Tiranë ne një deklarate për mediat mëngjesin e së premtes në faqen e saj zyrtare, shkruan: “Mirëpresim dënimin e djeshëm të pesë personave për trafik të qënieve njerëzore. Organizata kriminale ku ata bëjnë pjesë është përgjegjëse për hyrjen e paligjshme në Shtetet e Bashkuara të më shumë se 600 shtetasve shqiptarë gjatë periudhës së shkurtër që ishte në veprim. Ajo shfrytëzoi shpresat dhe ëndrrat e emigrantëve të mundshëm, duke i vënë ata në rrezik, ndërsa siguroi mbi 15 milionë dollarë si të ardhura kriminale”.
“Dënimi i djeshëm është rezultati i një hetimi të përbashkët të disa agjencive nën udhëheqjen e Byrosë për Sigurinë Diplomatike në Departamentin e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kontrabandimi i emigrantëve është një krim i rëndë dhe Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndjekin penalisht kontrabandistët sipas të gjitha hapësirave të ligjit amerikan dhe atij shqiptar. Përdorimi i shërbimeve të një kontrabandisti njerëzish për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara është i paligjshëm dhe vendos emigrantë të mundshëm para një mundësie të lartë shfrytëzimi dhe rreziku”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Gjykata për Krime të Rënda dënon me 59 vjet burgim në total 5 persona, të akuzuar nga Prokuroria për Krime të Rënda si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kalonin shtetas shqiptarë në mënyrë klandestinë nga Shqipëria në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim të procesit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda i konsideroi fajtor për veprat penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për shpalljen e tyre fajtor dhe vendosi si më poshtë, Nertil Previzi dënohet me 11.6 vjet burgim. Fatos Fasko dënohet me 14 vjet burgim.Enver Karaj dënohet me 13 vjet burgim. Fatmir Bakalli dënohet me 11.6 vjet burgim. Nikoll Kolaj dënohet me 9 vjet burgim.