Bota

Ambasadat perëndimore: Do punojmë me çdo qeveri të formuar ligjërisht

Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, thanë sot se do të punojmë me çdo qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës në agjendën evropiane për reformë dhe perspektivën më të gjerë evropiane të Kosovës.

Në një komunikatë të përbashkët të këtyre ambasadave thuhet se  ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht – qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne do të punojmë me çdo qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, agjendën evropiane për reformë dhe perspektivën më të gjerë evropiane të Kosovës”,thuhet në komunikatën e tyre.

Ata u bëjnë gjithashtu thirrje partive politike që e formojnë qeverinë e ardhshme që të kenë përparësi të punës sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të tërheqin investimet për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve një javë më parë, partitë politike janë duke bërë përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për të formuar qeverinë.

Kandidati për postin e kryeministrit të Kosovës nga radhët e koalicionit të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje partive politike që të fillojnë këshillimet për ngritjen e institucioneve të reja, posaçërisht lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit të prirë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, të dy subjektet politike refuzuan një gjë të tillë duke vënë kusht që zoti Haradinaj të heq dorë nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës, me të cilën asnjëra nuk pranon të bashkëqeverisë. Zyrtarët e koalicionit të udhëhequr nga zoti Haradinaj kanw bërë të ditur se do të shqyrtohen mundësitë tjera për formimin e qeverisë nëse subjektet politike refuzojnë takimet për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Parlamenti i ri duhet të mblidhet deri më 8 gusht, ndërsa ende nuk është e qartë se si mund të duket qeveria e re, meqë koalicioni fitues nuk i ka votat e mjaftueshme për themelimin e saj.

Sipas kushtetutës së Kosovës, koalicioni i zotit Haradinaj që doli i pari në zgjedhje ka të drejtën që të provojë të formojë qeverinë. Koalicioni i parë ka 39 vende në parlament dhe bashkë me deputetët e pakicave kombëtare arrin në 59 vota, dy më pak se sa votat e nevojshme për krijimin e qeverisë. Zyrtarë të këtij koalicioni pohojnë të kenë siguruar votat e mjaftueshme, ndonëse sipas tyre synimi është për të krijuar një qeveri me bazë sa më të gjerë.

Sipas kushtetutës presidenti i vendit i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga radhët e koalicionit fitues. Nëse kabineti i propozuar prej tij nuk siguron votat e mjaftueshme, përkatësisht së paku 61 vota, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër dhe nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike llogarisin në herën e dytë, përkatësisht në mundësinë që presidenti të gjykojë se cili grup mund të krijojë koalicionin e ardhshëm qeverisës për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button