Maqedonia

Ambasadori i BE-së: Nuk ka “plan B” për prokurorin special

Bukseli nuk ka një “plan B” për zgjedhjen e prokurorit special në Maqedoni. Këtë ka bërë të ditur ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, i cili tha se 4 partitë kryesore duhet të merren vesh gjatë ditëve të ardhshme për emërimin e prokurorit, i cili do të hetojë aferën e përgjimeve.

“Marrëveshja politike mes 4 partive për zgjidhjen e krizës ishte një arritje e madhe. Ishte një proces i vështirë, megjithatë tani partitë janë në një fazë edhe më të vështirë, atë të implementimit të marrëveshjes. Jam i kënaqur, pasi deri më tani janë bërë disa gjëra të mira. Grupet e punës po bisedojnë për format, ndërsa opozita është kthyer në Kuvend më 1 shtator, që ishte një nga elementët kyç të marrëveshjes. Javën e ardhshme kemi edhe një datë të rëndësishme, 15 shtatorin, kur 4 partitë duhet të emërojnë prokurorin special”, tha Aivo Orav, ambasadori i BE-së në Shkup.

Ambasadori i Bashkimit Europian është i bindur se, nuk do të shkelet afati për zgjedhjen e prokurorit special, i përcaktuar në marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike, në mënyrë që ai të nisë punën më 16 shtator.

“Nuk ekziston një ‘plan B’. Prokurori special duhet të emërohet më 15 shtator dhe, personalisht, jam i inkurajuar nga fjalimet, që mbajtën e rastin e ditës së Pavarësisë, kryeministri Gruevski dhe kreu i opozitës, Zoran Zaev, të cilët dërguan porosi shumë inkurajuese. Mbeten edhe disa çështje për t’u zgjidhur. Shpresoj që, në ditët në vijim ato të zgjidhjen në mënyrë konstruktive dhe në interes të shtetit. Në këtë mënyrë, më 15 shtator do të arrihet marrëveshja, ndërsa më 16 shtator prokurori i ri special do të nisë punën e tij”, deklaroi më tej Aivo Orav, ambasador i BE-së në Shkup.

Ndërkohë, përfaqësuesit e 4 partive kryesore në Shkup, edhe këtë të enjte kanë vijuar bisedimet për zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike. Takimet zhvillohen me dyer të mbyllura për mediet, por jozyrtarisht mësohet se partitë nuk po arrijnë të tejkalojnë dallimet rreth kompetencave dhe stafit që duhet të ketë prokurori special.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button