Ekonomia

AMF çregjistron dy kompani agjente të bursave online, pezullon një të tretë

Në mbledhjen e fundit të muajit janar, Bordi i AMF ka vendosur heqjen e njohjes dhe çregjistrimin si agjent i lidhur i brokerit të huaj të kompanive Vertex Securities dhe Eurotrade Securities, ndërsa ka pezulluar me një afat tremujor kompaninë tjetër Prodata Securities.

Në tetor të vitit të kaluar, AMF i kishte hequr licencën si agjent i lidhur i brokerit të huaj edhe shoqërisë “OnTop-Securities.

Sipas AMF-së, subjektet që veprojnë në Shqipëri duhet të kenë një kontratë me një kompani brokerimi në një vend të BE-së. Duke qenë se këto kontrata nuk u janë rinovuar pas përfundimit të afatit, atëherë AMF ka vendosur heqjen e licencës.

Sipas informacionit në Regjistrin Tregtar, Vertex Securities është kompani me kapital shqiptar, me aksioner të vetëm Ilir Ndreka, Eurotrade Securities është gjithashtu kompani shqiptare, me aksioner të vetëm Florin Deda, ndërsa Prodata Securities është kompani me capital të huaj, e zotëruar nga shoqëria RDA Services Limited. Sipas regjistrit të pronarëve përfitues, pas kësaj kompanie qëndrojnë tre shtetas izraelitë, Uri Fremder, Daniel Fremder dhe Ron Fremder.

Kompanitë e këtij lloji veprojnë si agjentë të platformave të huaja të investimit dhe zyrtarisht kanë si objekt aktiviteti ofrimin e shërbimeve të marketingut me qëllim promovimin e shërbimeve te investimit dhe instrumenteve financiare te ofruara nga një broker i licencuar në fushën e titujve. Në parim, ato funksionojnë si kompani call center, që kontaktojnë klientë potencialë nëpërmjet telefonit dhe kanë në fokus kryesisht shtetasit e huaj. Këto kompani punësojnë mijëra të rinj dhe, për ata që janë më të aftë në joshjen e investitorëve, mundësojnë pagesa tejet të mëdha, që shpesh mund të arrijnë në dhjetëra mijëra euro në muaj.

Por, shumë prej këtyre kompanive zhvillojnë aktivitet financiar të jashtëligjshëm, duke u kamufluar si call center të zakonshëm apo në formën e aktiviteteve të tjera. Hetimet dhe dëshmitë e të punësuarve në to kanë evidentuar se disa prej këtyre kompanive angazhohen në skema të mirëfillta mashtrimi, ku synimi nuk është thjesht përfitimi i komisionit mbi një investim real, por zhvatja e fondeve të investitorëve.

Në muajt e fundit, në këtë fushë madje janë kryer edhe disa arrestime të individëve të përfshirë në këto aktivitete. Jo më larg se këtë të mërkurë, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e dy personave në Durrës, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, kryenin mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center.

Në fund të vitit të kaluar, autoritetiet shqiptare mbyllën kompaninë RG Capital dhe arrestuan pronarin e saj, edhe ky një shtetas izraelit i quajtur Rafael Genish, për veprën penale të mashtrimit.

AMF shpjegon arsyet e heqjes së licencës

Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri nr. 62/2020 “Për tregjet e kapitalit”, është miratuar Rregullorja nr. 188, datë 16.12.2020 “Për regjistrimin dhe veprimtarinë e agjentit të lidhur të shoqërisë komisionere”. Rregullorja në tërësinë e vet pasqyron kërkesat e ligjit. Ajo përcakton gjithashtu detyrimet e shoqërisë komisionere, në emër të së cilës vepron agjenti, si edhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së agjentit të lidhur. Rregullorja është hartuar mbështetur edhe në udhëzimet e Autoritetit Evropian të Titujve dhe Tregjeve (ESMA).
Në rregullore, veprimtaria e agjentit është e kufizuar vetëm në promovimin e shërbimeve të investimit të shoqërisë komisionere. Rregullorja parashikon kryerjen e veprimtarisë së agjentit në emër dhe nën përgjegjësinë e plotë vetëm të një shoqërie komisionere të licencuar në Republikën e Shqipërisë, ose në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Shërbimi i agjentit mund t’i ofrohet klientëve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë ose klientëve të vendeve ku shoqëria komisionere është e autorizuar të ushtrojë aktivitet, sipas licencës përkatëse.
Regjistrimi i subjekteve që veprojnë si agjentë të lidhur, është realizuar nga Autoriteti, mbështetur në kërkesa strikte ligjore dhe rregullatore, si edhe këto subjekte kanë qënë objekt i monitorimit të vazhdueshëm. Në zbatim të nenit 13 të ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, i ndryshuar, objekti i veprimtarisë së Autoritetit është mbikëqyrja e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare brenda fushës së përgjegjësisë së Autoritetit, të cilët pajisen me licencat dhe/ose autorizimet përkatëse për ushtrimin e këtyre veprimtarive.
Bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore të cituara më sipër, një numër i kufizuar subjektesh janë regjistruar nga Autoriteti për të ushtruar aktivitetin e agjentit të lidhur, të pajisur me kontratën përkatëse me një shoqëri komisionere të licencuar në një nga vendet e BE-së. Gjatë vitit të fundit, Autoriteti ka çregjistruar tre shoqëri që operojnë si agjentë të lidhur, si edhe ka pezulluar aktivitetin e një shoqërie tjetër. Vendimet janë marrë për shkak se subjekteve u ka përfunduar kontrata e lidhur me shoqëritë komisionere që operojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Aktualisht, pranë Autoritetit nuk ka kërkesa nga ndonjë subjekt për t’u licencuar si agjent i lidhur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button