Amsterdami “i vë kyçin” rrugës me drita të kuqe, zbulohet plani i bashkisë për vitrinat e seksit
Amsterdami i thotë lamtumirë lagjes së “dritave të kuqe”, duke ndjekur një plan shumë të diskutueshëm urbanistik, që do të shohë zhvendosjen e “vitrinave të seksit” në periferi të qytetit.
Kryebashkiakja Femke Halsema ka kundërshtuar prej kohësh lagjen shekullore të dritave të kuqe, të njohur si “De Wallen”, me dritaret karakteristike të ndriçuar me neon në shtëpitë buzë kanalit ku punonjëset e seksit qëndrojnë në pritje të klientëve.
Ajo dëshiron të çrrënjosë lagjen historike ku ofrohen marrëdhënie seksuale me pagesë dhe ta zhvendosë atë jashtë qytetit, me planin që synon t’i çrrënjosë Amsterdamit nofkën e “qytetit të mëkateve“, ndërkohë që zvogëlon edhe numrin e turistëve e krimet në zonë.
Në zbatim të planit ambicioz, drejtuesit e qytetit të Amsterdamit zbuluan të hënën vendndodhjen e re të lagjes me drita të kuqe në jug të kryeqytetit holandez. Qyteza “qendra erotike”, parashikohet të ndërtohet në bulevardin ‘Europa’ në lagjen jugore.
“Kjo zgjedhje do t’i paraqitet këshillit të qytetit në fillim të vitit të ardhshëm”, tha kryebashkiakja e Amsterdamit në një deklaratë, duke shtuar se do të duhen 7 vite për ta ndërtuar lagjen e re.
Sa i përket vendodhjes së propozuar, bulevardi “Europa”, ndodhet në skaj të distriktit kryesor të biznesit të Amsterdamit dhe do të ketë 100 dhoma për punonjëset e seksit, si dhe restorante, teatro seksi, klube dhe restorante.
Plani e vendos ‘qendrën erotike’ pranë Agjencisë Evropiane të Barnave, e cila gjithashtu ka kundërshtuar masën, duke thënë se kjo mund të ndikojë në sigurinë e njerëzve që punojnë vonë në zyrë.
Planet e bashkisë janë kundërshtuar edhe nga vendasit që nuk e duan qendrën e re në pragun e tyre, si dhe punonjëset e seksit që mendojnë se po bëhen “kokë turku” për kriminelët dhe turmat që rrethojnë kabinat e tyre të ndriçuara.