Anbeta Toromani: Carmen, edhe pse një personazh i krijuar vite më parë, mbetet shumë aktuale edhe sot
Një nga historitë më të fuqishme të skenës botërore, baleti “Carmen” në skenën tonëme pjesëmarrjen e balerinës së mirënjohur shqiptare Anbeta Toromani. Pas shumë vitesh eksperiencë në skena prestigjioze dhe projekte të rëndësishme artistike, ajo u rikthye në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me produksionin e ri “Carmen”, një rikthim që ka tërhequr vëmendje të madhe. Baleti “Carmen” çeli udhëtimin e tij prej katër mbrëmjesh në TKOB nën interpretimin e balerinës së mirënjohur shqiptare, Anbeta Toromani, e cila shprehet se kjo shfaqje për tëështë një moment i rëndësishëm në karrierën e saj. Në intervistën për gazetën “SOT” balerina Anbeta Toromani ndalet te emocionet e rikthimit, rrugëtimin e saj artistik apo dhe bashkëpunimin me koreografin Amedeo Amodio për këtë produksion të baletit “Carmen”. Ndër të tjera ajo flet gjithashtu për rëndësinë e mbështetjes së artit, ku sipas saj më shumë buxhet do të thotë më shumë cilësi dhe kualitet. Anbeta Toromani është një balerinë dhe koreografe.Gjatë karrierës së saj, Anbeta Toromani ka interpretuar role kryesore në balete si “Giselle”, “Don Chisciotte”, “Cenerentola”, “Paquita” dhe “Carmen”. Ajo ka pasur një karrierë të suksesshme në Itali dhe në skena të tjera ndërkombëtare.
-Keni një rikthim në skenën e Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me baletin “Carmen”. Një rikthim që ka tërhequr shumë vëmendje edhe nga publiku. Çfarë emocionesh ju shoqërojnë në këtë rikthim?
Është shumë emocionuese për mua. Janë bërë kaq vite që nuk kam qenë në këtë skenë. Do të kisha dashur që kjo ftesë të më kishte ardhur edhe më herët, por më mirë vonë se kurrë. Jam shumë e lumtur dhe e kënaqur që rikthehem në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, aty ku edhe e kam nisur rrugëtimin tim artistik.
-Ju interpretoni Carmen-in në TKOB. Çfarë mund të na rrëfeni më shumë për këtë rol?
Janë disa udhëzime edhe nga koreografi, por njëkohësisht të jepet edhe një liri e mjaftueshme për të eksploruar veten përmes personazhit. Carmen është një personazh shumë aktual edhe pse është shkruar në ato vite, por mbetet më se aktuale edhe tani. Një femër që do të jetë e lirë, që do të dojë siç do ajo, që do ta jetojë jetën e saj në mënyrë sa më të lirë, pa u gjykuar, pa u udhëzuar, sidomos nga një mashkull. Kjo është ideja dhe kjo nuk ndryshon edhe në këto vite. Jemi në 2026 dhe akoma luftojmë me këtë idenë e patriarkales. Nuk është vështirë të sjellësh në skenë një Carmen, në kuptimin që ku të gjesh forcë për ta kapur, sepse mbetet aktuale.
-Me muzikën e Georges Bizet dhe koreografinë e një artisti të madh si Amedeo Amodio, ky produksion erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar tëOperës dhe Baletit. Çfarë mund të veçoni në këtë bashkëpunim?
Maestro mund të konsiderohet si një enciklopedi e artit të baletit, por edhe e teatrit në përgjithësi, sepse ai nuk e sheh teatrin vetëm si balet. Ai e koncepton në mënyrë të plotë, në 360 gradë. Për të, teatri fillon nga dritat, skena, deri te të gjithë punonjësit që janë pjesë e tij. Çdo element që rrotullohet rreth teatrit për të është art dhe spektakël. Prandaj, në shfaqje do të shihni edhe punonjës që lëvizin këto mure, gjithçka që zakonisht ndodh jashtë ose pas skene, për të bëhet pjesë e skenës. Kjo është ideja e tij artistike, çdo gjë është reale. Në të njëjtën mënyrë ai e ndërton edhe personazhin. Kur të kërkon të krijosh një rol, nuk kërkon thjesht interpretim teknik, por diçka që buron nga brenda vetes. Ai kërkon një interpretim të sinqertë.
-Pas kaq vitesh karrierë jashtë, çfarë ndjesie ka rikthimi për të performuar para publikut shqiptar?
Jam në Shqipëri, në vendin tim, dhe ndjej emocione të veçanta, sepse vjen edhe përgjegjësia për të dhënë më të mirën para publikut tim.
-Rikthimi juaj në skenën e TKOB ka tërhequr shumë vëmendje. Pse keni munguar kaq vite?
Nuk ka qenë një zgjedhje e imja. Kanë munguar ftesat. Drejtori Aulon Naçi është i vetmi që më ka bërë një ftesë reale, pra një ftesë zyrtare. Nuk është se unë nuk kam dashur të jem pjesë e kësaj skene, por kjo ka qenë arsyeja e mungesës sime.
-Si e shikoni sot trupën e baletit në TKOB? Çfarë duhet përmirësuar më tej sipas jush?
Është sikur të kesh një fëmijë. Një fëmije përpiqesh t’i japësh ushqimin më të mirë që ke. Edhe arti edhe publiku janë të lidhur me këtë, duke i dhënë artistit ushqim të mirë, edhe artisti ushqehet me programe me kualitet. Po për të pasur kualitet në çdo moment, duhet një buxhet që ta lejojë këtë standard. Kur nuk e ke, nuk mund ta ofrosh. Cilësia artistike lidhet drejtpërdrejt me buxhetin që ka në dispozicion një teatër, sepse nuk është se i mungojnë artistët Shqipërisë apo i mungojnë talentet. Unë këtu jam formuar. Ndërsa ai kualitet më erdhi nga jashtë, sepse pata mundësi të punoj dhe të zhvillohem, ashtu siç ka ndodhur me shumë balerinë si Eno Peçi, Gentian Doda dhe të tjerë, të cilët bazën këtu e kanë marrë nga profesorët tanë si profesor Pëllumbi, profesor Luani, profesor Agroni, profesor Skënderi. Kjo është baza. Më pas, unë kam punuar shumë, sepse për të arritur diçka jashtë duhet të tregosh më shumë se një vendali, përndryshe nuk kanë nevojë për ty, sepse i kanë të vetët. Por ajo që ka rëndësi është kualiteti i punës, ndryshimi i vazhdueshëm i pedagogëve, mos të qëndrohet gjithmonë te e njëjta gjë. Është shumë stimuluese ndërrimi i mësuesve, i koreografëve dhe larmia e produksioneve. Kjo është ideja e teatrit. Edhe për publikun, ky është teatri.
-Pjesa e buxhetit për artin dhe kulturën, sipas jush dhe artistëve të tjerë, duhet të ketë më shumë vëmendje. Sa i rëndësishëm është ai për rritjen e cilësisë dhe të standardit artistik?
Më shumë buxhet do të thotë më shumë cilësi dhe kualitet. Ai të jep mundësi të ndërtosh një programacion më përfaqësues. Dhe është e rëndësishme që gjithmonë të jesh në zhvillim dhe nën një presion pozitiv, që të të shtyjë të japësh më të mirën dhe të jesh i motivuar.
-Sa vite keni që jeni larguar nga Shqipëria?
Jam larguar nga Shqipëria në vitin 2002. Jetoj në Napoli, në Itali, por aktualisht nuk punoj atje, edhe pse kam qenë pjesë e Teatrit të Napolit. Tani jam një profesioniste e lirë dhe punoj me produksione dhe projekte të ndryshme.
-Cilat janë kujtimet tuaja nga fillimet në TKOB dhe cilët pedagogë apo figura artistike ju kanë lënë më shumë mbresa?
Profesor Agron Aliaj është ai që kujtoj me më shumë nostalgji nga të gjithë. Një artist që i mungon këtij teatri, një personalitet si profesori. Ai i ka lënë diçka secilit prej nesh. E kam në zemër.
-Baleti “Carmen” do të vijojë më pas në Bolonja. Si do të zhvillohet ky turne?
Ne e kishim planifikuar ta realizonim, por jo me Teatrin e Operës dhe Baletit, por me një kompani tjetër. Megjithatë, me maestro-n, duke qenë se ndodheshim këtu, vendosëm pse mos marrim trupën e baletit këtu. Puna është realizuar. Më 10 përfundohet shfaqja e fundit e “Carmen” këtu, dhe më 23 vijojmë në Bolonja.
Intervistoi: Juljana Vrapi



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.