Anëtarët e Kushtetueses, “të paprekshëm”. Qeveria: T’u hiqet imuniteti
Nga Herion Mesi
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese gëzojnë një imunitet që shkon në kufijtë e pandëshkueshmërisë dhe për këtë arsye, qeveria propozon ndërhyrjen në Kushtetutë, që do të bënte të mundur dhe ndëshkimin e këtyre gjyqtarëve, të cilët përfitojnë nga legjislacioni aktual.
Nisur nga kjo, edhe pse në draftin e saj nuk jep asnjë sugjerim për zgjidhjen e këtij problemi, Ministria e Drejtësisë i propozon Kuvendit, që në kuadër të reformës në drejtësi të parashikojë dhe shfuqizimin e të gjitha dispozitave të ligjit që përcakton se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të hetohen pa pëlqimin e gjykatës. Në raportin e saj, dërguar tashmë Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Ministria e Drejtësisë propozon se trupa prej nëntë gjyqtarësh të Gjykatës Kushtetuese duhet të trajtohet sipas përcaktimeve të Kushtetutës në lidhje me çështjen e imuniteteve, pavarësisht se çfarë thuhet në tekstin e ligjit themeltar. “Ligji përmban dispozitat për imunitetin e anëtarëve të gjykatës, të cilat janë përfshirë në Kushtetutë. Kjo gjë ndonjëherë çon në avancim nga ajo që përcaktohet në Kushtetutë dhe krijon një situatë të afërt me pandëshkueshmërinë. Prandaj, duhet të shfuqizohen dispozitat e ligjit që përcaktojnë se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të hetohen pa pëlqimin e gjykatës. Në përgjithësi, ndryshimi i ligjit duhet të lejojë realizimin e reformimit të parashikuar të Kushtetutës për çështjen e imuniteteve: një dispozitë e mirë do të ishte që kjo çështje t’u referohet caqeve të përcaktuara ngushtësisht në Kushtetutë, pavarësisht se ç’thuhet në tekstin e saj”, thuhet në raport.
Vendimet
Në analizën e saj lidhur me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë ngre shqetësimin e saj në lidhje me vendimet e kësaj gjykate. Kohëzgjatja dhe ekzekutimi i vendimeve janë dy elemente të rëndësishme, për të cilat edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vlerësuar se mekanizmat e përdorur nga kjo gjykatë deri më tani nuk janë efektive. Në këtë linjë, qeveria e shikon si problematike dhënien e vendimit të paargumentuar, ku zbardhja e tij bëhet në një afat të papërcaktuar kohor, gjë që për ekzekutivin shkakton jo vetëm vonesa, por edhe ngre dyshime mbi vendimmarrje politike të trupës së Gjykatës Kushtetuese. Nisur nga këto, Ministria e Drejtësisë i kërkon Kuvendit që të shikohet mundësia për të bërë ndryshime në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku sipas saj, ligji i ri duhet t’i japë fund praktikës së publikimit të dispozitivit të vendimit, pa argumentet e tij, të cilat publikohen më vonë. “Vendimet duhet të publikohen gjithmonë ‘Vetëm’ të shoqëruara me arsyetimin, që është pjesë e vetë vendimit. Përndryshe, perceptimi publik mund të kuptojë që vendimet merren së pari për arsye politike ose interesa të tjera dhe argumentet logjike shtohen më vonë sipas rastit (neni 72.6). Vendimet duhet të votohen me argumentet e tyre dhe të publikohen vetëm të plota”, thekson Ministria e Drejtësisë. Gjithashtu, ministria nënvizon rëndësinë e krijimit të pamundësisë së votës së barabartë të trupës gjyqësore, që do të shmangte mundësinë e balotazhit në dhënien e vendimeve. “Në të njëjtën kohë, ligji duhet të eliminojë mundësinë e balotazhit. Nuk është e pranueshme, sipas standardeve europiane dhe juridiksionit të GJEDNJ-së, që një organ juridiksional të refuzojë një çështje të pranuar pa e konsideruar në themel. Rasti i ndarjes së barabartë të votave kërkon zgjidhje. Praktika europiane jep shembuj të ndryshëm “vota cilësore” e kryetarit që është përcaktuese në këto raste është një nga zgjidhjet më të zakonshme, por jo e vetmja”, shprehet ministria në raport.
Legjislacioni
Në lidhje me organizimin, në raportin e saj dërguar Kuvendit, Ministria e Drejtësisë thekson se ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” i mungojnë afatet e fillimit të procedurës së rekrutimit të gjyqtarëve kushtetues, dhe të emërimit të gjyqtarit të ri, para përfundimit të mandatit të rregullt të gjyqtarit paraprak. “Ligjit i mungon dhe përcaktimi i një mekanizmi mbi mënyrën e rekrutimit të kandidaturave para Presidentit, bazuar mbi standardet e transparencës, meritokracisë, mosdiskriminimit”, thuhet në raport. Sipas saj, ligji ka mangësi gjithashtu, edhe në mungesën e parashikimit të së drejtës së Gjykatës Kushtetuese, që në rast konstatimi të shkeljes së të drejtave kushtetuese të vendosë dëmshpërblim për individin. Kërkesat para Gjykatës Kushtetuese lidhur me mosgjykimin brenda një afati të arsyeshëm dhe për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, janë shtuar në numër. “Reforma në Gjykatën Kushtetuese konsiderohet një mjet joefektiv referuar nenit 13 të KEDNJ, prandaj nevojitet ripozicionimi i anëtarëve të kësaj gjykate dhe vlerësimi i mënyrës së zgjidhjes së tyre. Duhet të rishikohen procedurat, duke e kthyer këtë gjykatë në një mjet eficient gjykimi, me qëllim uljen e numrit të çështjeve që përcillen për gjykim në GJEDNJ”, thekson ministria e Drejtësisë.