Anije goditet nga projektil i panjohur në Ngushticën e Hormuzit, njofton UKMTO
Autoritetet po hetojnë një incident të raportuar të dielën në Ngushticën e Hormuzit, pasi një anije u godit nga një projektil i panjohur, siç njofton Reuters duke cituar agjencinë britanike UKMTO (Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar).
Sipas UKMTO-së, kapiteni i një anijeje tregtare përcolli një thirrje Mayday, sipas së cilës një anije tjetër ishte goditur nga projektilli i panjohur në ngushticë. Edhe Al Jazeera e raportoi incidentin në mbulimin e saj live të dielën në mbrëmje, duke iu referuar të njëjtit njoftim të UKMTO-së.
Deri në momentin e raportimit nuk janë bërë të ditura emri i anijes së goditur, dëmet e mundshme, gjendja e ekuipazhit apo autori i goditjes. UKMTO nuk ka dhënë detaje të tjera për incidentin, ndërsa hetimi i autoriteteve vazhdon.
Incidenti vjen vetëm dy ditë pas goditjes së cisternës së gazit të lëngshëm Al Mayeda, të kompanisë katariane Nakilat, në ujërat e Gjirit — sulm që Katari, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit dhe Arabia Saudite e dënuan si përshkallëzim të rrezikshëm për sigurinë e lundrimit dhe furnizimet globale me energji.
Ngjarja ndodh ndërkohë që negociatorët iranianë dhe ndërmjetësit katarianë zhvilluan të dielën në Doha ditën e tretë të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës SHBA–Iran. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se diskutimet për planin e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditësh nga një marrëveshje e mundshme vazhdojnë, por pa një përfundim final.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.