Anita, një spanjolle në letrat shqipe
Dy femrat në letërsinë e Petro Markos
“Dora e Anitës, shtrëngoi fort dorën e Gorit. Ia shtrëngoi e pastaj me ngadalë nisi t’ia përkëdhelte. Në këto çaste Gorit i bien në mend ata sy të bukur që e shikonin me aq ëmbëlsi në ullinjtë e Castellon de la Platna që gjithnjë e ndiqnin nga pas! Dhe tani, ja aty ishte ajo për të cilën kaq kohë ëndërroi e mendoi…”.
Hasta La vista
Gorit dora i dridhej dhe zemra i fluturonte dhe ashtu pa menduar fare, i ktheu kokën, e pa në sy, i afroi buzët te sytë e saj dhe ajo i hodhi duart në qafë…Dhe pastaj të dy shtrirë, duke parë qiellin e kaltër, kujtonin se nanuriseshin nga meloditë më të ëmbla e të padëgjuara gjer ato çaste. Anitës tani i kujtohet sesi u drodh toka…dhe rrinte me sy mbyllur. Nuk ia lëshonte dorën Gorit. Duke lëmuar kurrizin e saj parakalonte ëmbël rrugën e ëmbël të ëndrrës së saj, kurse Gori, duke parë kupën e qiellit, vinte re se tani disa re ndiqnin njëra-tjetrën. Nisi t’i fliste vashës së tij, ta pyeste për çdo gjë. Dhe Anita me zërin që i dilte si i truar i tregonte:…ishte pra një vajzë nga Toledoja…që e arriti kulmin e lumturisë së saj…
Nga Alda Bardhyli
“Gori nuk lëvizte fare. As që merrte pjesë në bisedën e tyre. Kur u shuan dritat, Gori ndjeu dorën e Anitës pranë dorës së tij! Si s’i mbeti fryma! Hoqi me ngadalë dorën. Sa si ra vilani. Dora e saj pranë dorës së tij! Përsëri dora e Anitës lëvizi dhe mbase padashur ceku dorën e Gorit. Cila është kjo vajzë që e ka emrin Anita? E, ç’guxim ka! Ajo kërkon dorën e një ushtari të panjohur…!”. Në dhomën gjysmerrësirë të një spitali në Spanjën e përfshirë nga lufta, Gori, një ushtar vullnetar shqiptar do të harronte plagët e marra në luftë duke u përfshirë i tëri nga silueta e një 17-vjeçareje spanjolle, e cila krejt e shpenguar i prekte duart. “S’i harroj kurrë sytë e tu! I kam kërkuar, i kam kërkuar! Sot i gjeta! Sa e lumtur që jam! Sa e lumtur që jam!, vazhdonte t’i thoshte ajo. Nga tronditja e plagëve të marra Gorit do t’i duhej kohë t’i rivinte në kujtesë ajo ditë në olivares Castellon de la Plana, kur sytë e tyre u kryqëzuan për herë të parë. Në historinë e letërsisë shqipe Anita Gonzales Seto, vajza nga Toledoja e veshur me pallto bojë hiri, do të hynte për herë të parë më vitin 1958 (koha kur romani “Hasta la vista” u botua për herë të parë), për të mbetur si femra më frymëzuese në besimin e saj për dashurinë. Në një letërsi të dominuar nga personazhe të vizatuara sipas skemave të soc-realizmit, Petro Marko nuk mundi të vendoste mbi fustanin e Anitës, rregulla të tilla. Ai e la atë të lirë, si një nga prijëset më të mira për të treguar jo vetëm luftën, por dhe dashurinë për shqiptarin Gori Gjinleka. Ka diçka tek Anita, diçka që s’ka mundur të ndryshojë me vitet, dhe të vazhdojë ta bëjë atë më të dashur për lexuesit. Ajo i beson çastit kur për herë të parë ndeshi me sytë e shqiptarit, dhe u lut në heshtje që ai të shfaqej sërish. Dhe kur ai shfaqet ashtu i plagosur në spitalin ku ajo shërbente si infermiere, ajo e ndjeu se ai ishte aty për atë, dhe se asgjë s’do mund ta ndalte këtë vajzë që jeta i kishte marrë çdo gjë, të besonte se e nesërmja i përkiste dashurisë. “Hasta la vista” vijon të mbetet jo vetëm si romani që shmangu romanin historik i cili ishte zhvilluar deri në atë periudhë, por dhe si romani ku për herë të parë një personazh, dhe ajo është femër nuk ka frikë të shprehë hapur mendimet e saj. Për më shumë se katër dekada, Anita do të ishte frymëzimi më i bukur jo vetëm për lexuesit meshkuj që gjenin tek ajo tiparet e së dashurës ideale, por dhe për femrat, së cilave u kishte ofruar një model që nuk do ta gjenin në asnjë nga librat që lexuan më pas. Anita, spanjolle ishte e vetmja e “huaj”, që jetoi gjatë në Shqipërinë komuniste. Një e huaj që çuditërisht nuk u pa asnjëherë si e tillë, dhe bëri një lexues tërësisht konservator, të pranonte hapjen e saj ndaj ndjenjave.
Gati 30 vjet më vonë Petro Marko do të krijonte një tjetër personazh femër, që nën modelin e Anitës, do të ndiejë të njëjtën vuajtje për dashurinë. Nëse Anita, do ta zhvillonte historinë e saj në një botë të përfshirë nga lufta, Sonja, personazhi i romanit “Nata e Ustikës” do ta gjente dashurinë në burgun e Ustikës. Është e jashtëzakonshme aftësia e një shkrimtari si Petro Marko për t’i dhënë jetë së bukurës, pikërisht në zona të trishtuara siç është lufta apo burgu. “Kur dua të ringjall entuziazmin, i shmangem çastit aktual”, do të shkruante shkrimtari në një nga shënimet e tij në vitin 1983, publikuar nga e bija më pas. Duket si një shënim i hedhur kështu momental, por ka brenda filozofinë ku besonte Petro Marko, duke krijuar një tjetër realitet paralel me atë ku ndodhej, për t’i shpëtuar atmosferës mbytëse siç mund të ishte komunizmi. Në librat e tij ai gjeti dashurinë si zgjedhjen më të mirë për t’iu kundërvënë jo vetëm luftës, te “Hasta la vista”, por edhe “burgjeve”, censurës, te “Nata e Ustikës”. Një djalosh liberal, mik i Hemingway-t me pasionin e madh te librat, Petro Marko nuk mund të bënte jetën që do kishte ëndërruar teksa endej me miqtë e brigadave sulmuese në Spanjë. Vendi i tij do ta dënonte me heshtje, një nga prozatorët e parë modernë dhe krijuesin e romanit bashkëkohor shqiptar. Ishin personazhet e tij ata që e shpëtuan shkrimtarin, duke i dhënë një dimension që as diktatura nuk mundi t’ia hiqte, atë të një krijuese park-eskelent, me aftësinë e jashtëzakonshme për të sjellë në letrat shqipe, personazhe dhe dialogë që do të mbeteshin përgjithmonë në kujtesë. E tillë ishte dhe Sonja, vajza me fundin e hidhur në “Nata e Ustikës”. Ndryshe nga Anita, ajo ishte më e ndrojtur, por ashtu si ajo besoi deri në fund te dashuria për Andran. Është shtatori i vitit 1941, e oborri i burgut mbushej dita-ditës me gra e fëmijë, të ardhur nga vende të ndryshme, Mali i Zi ose edhe më larg akoma, nga Sllovenia. Andrea, së bashku me shokët e tij, duke qenë se kishin qelinë paksa të ‘privilegjuar’ nga pozicioni ku ndodhej, i takonte shpeshherë, të asistonte në ndarjen e racioneve ushqimore, nga një gropëz ku takoheshin vetëm duart. E pikërisht atë natë vjeshte, ai preku duart e Sonjës, sllaves së burgosur. “Në fillim ndjeva zërin e saj. Pastaj i preka duart. Fytyrën nuk ia pashë. As trupin. Kishte diçka thellësisht njerëzore në ato duar. M’u duk se në pëllëmbën time më pulsonte një zemër. Rrahjet e saj u bënë njësh me të miat. Nuk i shihja ato duar. Vetëm sa i prekja. Mos ishte nata ajo që i vishte me mister? Apo hekurat e burgut që na ndanin? Ndoshta të dyja bashkë, ndoshta asnjëra prej tyre”, më këtë rrëfim nis romani “Nata e Ustikës”. Mijëra lexues do t’i mësonin përmendësh këta rreshta, që të ftojnë të lexosh një nga historitë më të bukura të dashurisë në letërsinë shqipe, e cila ashtu si të gjitha historitë e dashurisë do të ketë fundin e hidhur, që përfundon me këto rreshta “Sonja vdiq! Kush e tha këtë fjalë? Kadriu, jo se jo. Po atëherë kush e tha? Nata në ikje? Ajo, ajo hedh gurin e fundit mbi gëzimin tim të tronditur… si këto dallgë…”