Ankaraja akuzon kurdët sirianë për kryerjen e një ”spastrimi etnik” në Siri
Qeveria islamo-konservatore turke akuzoi forcat kurde që luftojnë xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik në veri të Sirisë se po praktikojnë ”spastrimin etnik” kundër popullsisë jo kurde.
“Popullsitë e vendeve të bombarduara janë bërë objekt i spastrimit etnik nga PYD (Partia e Unionit Demokratik, partia kryesore kurde në Siri) dhe YPG (Uniteti për Mbrojtjen e Popullit, milicia e PYD) po aq sa nga Daech (akronim në gjuhën arabe i Shtetit Islamik)”, konfirmoi zëdhënësi, Bulent Arinç.
“Ne kemi parë në terren një përpjekje të vazhdueshme nga ana e kurdëve për të dëbuar popullsitë arabe dhe turkmene, për t’i larguar nga veriu i Sirisë dhe për t’i zëvendësuar nga elementë të tjerë dhe për të bashkuar disa kantone”, shtoi ai.
Arinç theksoi se Ankaraja dyshon se kurdët e Sirisë po përpiqen të formojnë një territor autonom në tokën siriane, përgjatë kufirit turk duke bashkuar tre kantonet ekzistuese të Kobanes, Jaziras dhe Afrinit. Identifikuar nga kurdët me emrin Rojava, ky entitet nuk është njohur kurrë nga regjimi i Damaskut.