Apeli: Ende nuk kemi vendosur për paraburgimin e dy veteranëve në rastin e deputetit Rexhepi
Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj dy veteranëve të UÇK-së, Fadil Zogajt dhe Ekrem Selimit, siç njofton Klan Kosova.
Zëdhënësja e kësaj gjykate, Laureta Ulaj, ka konfirmuar se Apeli e ka pranuar lëndën me ankesë dhe se ajo është në shqyrtim, duke theksuar se kjo gjykatë ende nuk ka vendosur, ndryshe nga pretendimet që kanë qarkulluar në disa gazeta online.
Sipas Ulajt, Gjykata e Apelit do të vendosë brenda afateve të përcaktuara ligjore lidhur me ankesën e paraqitur kundër masës së paraburgimit.
Zogaj dhe Selimi ishin arrestuar ditë më parë nën dyshimin për sulm ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, gjatë protestave të veteranëve para Kuvendit të Kosovës. Ata dyshohen për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë u kishte caktuar nga një muaj paraburgim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.