Apeli zbardh aktgjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt: Murseli e mbajti për krahu që Plava ta qëllonte, fëmijët ishin në makinë
Gjykata e Apelit ka zbardhur aktgjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, duke refuzuar ankesat e mbrojtjes dhe duke konfirmuar burgimin e përjetshëm për Naim Murselin, i cili u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, siç njofton Shqiptarja.com.
Sipas arsyetimit të vendimit, Murseli kishte planifikuar vrasjen për shkak të raporteve të përkeqësuara bashkëshortore dhe motivit të përfitimit material. Ai e kishte sjellë Liridonën në vendin e ngjarjes së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës katër dhe gjashtë vjeç.
Një nga detajet kryesore që theksohet në arsyetim është roli i drejtpërdrejtë i Murselit në momentin e ekzekutimit: pasi kishte ndaluar automjetin dhe i kishte dhënë sinjal me drita Granit Plavës, ai e mbajti viktimën për krahu, ndërsa Plava qëlloi me armë zjarri në drejtim të saj. Gjykata e vlerësoi këtë veprim si element të dinakërisë, në kuadër të veprës penale të vrasjes së rëndë.
Për këtë konstatim, Apeli i referohet dëshmisë së Leonard Ademajt, vëllait të viktimës, i cili kishte përcjellë deklarimet e fëmijës së pranishëm në vendngjarje në momentin e të shtënave, si dhe ekspertizës mjekoligjore dhe deklaratës së ekspertit Naim Uka, ku konfirmohet ndrydhja në krahun e viktimës.
Apeli vlerëson se mënyra e kryerjes së vrasjes, në prani të dy fëmijëve të mitur, shkalla e lartë e dashjes dhe mungesa e rrethanave lehtësuese e bëjnë dënimin me burgim të përjetshëm të drejtë dhe të ligjshëm. Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla kanë mohuar kryerjen e veprave penale, por sipas gjykatës deklarimet e tyre nuk i rrëzojnë faktet dhe rrethanat e vërtetuara gjatë gjykimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.