Britania kontakton ish-ushtarakët mes rritjes së kërcënimeve, Streeting: Duhet të jemi gati për rreziqet
Britania e Madhe po kontakton ish-ushtarakët e saj, pasi The Times dhe The Telegraph raportuan se rezervistë që kanë shërbyer më parë në Forcat e Armatosura kanë marrë letra ku u kërkohet të jenë të gatshëm për t’u thirrur në shërbim në rast lufte, siç njofton Shqiptarja.com.
Duke folur për BBC, ministri Wes Streeting tha se qëllimi është që qeveria të ketë një pasqyrë të qartë të rezervës strategjike dhe të aftësive që mund të vihen në dispozicion në rast të një katastrofe kombëtare apo konflikti. Letrat, sipas The Telegraph, u ofrojnë ish-ushtarakëve edhe mundësinë për t’u bërë vullnetarë në trajnime dhe stërvitje.
“Dua që vendi të jetë vigjilent, jo i alarmuar. Nuk mund të mos shikosh atë që po ndodh në Evropë dhe të mos shqetësohesh për një mjedis kërcënimi që është përkeqësuar vitet e fundit”, deklaroi Streeting, duke përmendur ndërhyrjen në hapësirën ajrore polake nga raketat ruse dhe terrorizmin e sponsorizuar nga shteti rus në Evropë. “Sa më të gatshëm të jemi, aq më pak ka gjasa të gjendemi në një konflikt, në një luftë”, shtoi ai.
Streeting theksoi se kjo nuk është përgatitje për një luftë të afërt, por një proces i domosdoshëm përditësimi, duke kujtuar se gjatë ndërhyrjes britanike në Irak në vitin 2003 Ministria e Mbrojtjes nuk kishte të dhëna të sakta për ish-ushtarakët që mund të riktheheshin në shërbim. Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah edhe rëndësinë e aftësive civile, si operatorët e dronëve dhe specialistët e elektronikës e komunikimeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.