Politika

Arben Tafaji shpall kandidaturën për Tiranën: PD aty më ka patur. Nuk analizoj kujt i prish punë

1429105084tafajikandidat
Arben Tafaj

Një tjetër emër që do të kërkojë votat e banorëve të Tiranës për t’u ulur në karrigen e kryetarit të Bashkisë është ai i Arben Tafajt, ish-kryetari i njësisë bashkiake numër tetë të kryeqytetit për 12 vjet.

Si një tiranas i vjetër, siç njihet në kryeqytet, i propozuar nga shoqata “Tirana” dhe i mbështetur nga Partia Republikane dhe nga Partia Demokratike gjatë këtyre viteve, Arben Tafaj ka marrë vendimin të jetë në këtë ambicie më të madhe politike të tij, rival edhe i kandidatit së të djathtës. Ky vendim i tij nuk vjen pas refuzimit të një kërkese drejtuar Partise Demokratike, pasi në bindjen e tij kjo nuk ka qenë e nevojshme.

“Unë kam 12 vjet që garoj për të djathtën. Nuk jam një njeri që vij rishtaz dhe i duhet shti ndërmend dikujt që ‘shikoni, keni edhe Arben Tafajin, mund ta merrni, mund ta kandidoni në kuadër të koalicionit të djathtë. Unë jam këtu! Ajo që dua të them është që nuk ndryshon asgjë nga marrëdhënia ime me Partinë Demokratike apo me koalicionin e djathtë. E vetmja gjë që ndryshon është që ne garojmë paralel me njëri-tjetrin, pra jo në aleancë dhe ku zoti Basha nuk është garues”, thotë Arben Tafaji, kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Si një kryetar njësie i mbështetur nga e djathta, analiza më e thjeshtë të çon drejt opinionit se Arben Tafaji merr vota të qytetarëve mbështetës të këtij spektri, por Arben Tafaj nuk ndan këtë mendim.

“Ne fokusin tim, në gjithë punën time janë interesat e qytetarëve, janë qytetarët e Tiranës. Efektet anësore, i prishet punë të djathtës, i rregullohet punë të majtës, i prishet punë të majtës apo qendrës, këto nuk kanë lidhje fare me atë për të cilën unë jam sot këtu. Do t’u drejtohem të gjithë qytetarëve, nga ata më të hershmit, tek ata më të vonshmit, të gjithë në sytë e mi janë qytetarë që japin djersën për këtë qytet. Pa dallim të majtë apo të djathtë! Pa dallim të ardhur herët apo rishtazi dhe në emër të kësaj, pra drejtësi publike për të gjithë qytetarët unë do të kërkoj votën e tyre”, shton Tafaji.

Projektin e tij për Tiranën bazuar në misionin për qeverisje të drejtë të qytetarëve, do ta zbulojë gjatë fushatës, por atë që ka edhe më të qartë është ajo që nuk do të premtojë.

“Unë nuk do t’u premtoj qytetarëve të Tiranës projekte futuriste, projekte që nuk kanë lidhje me realitetin”, thotë ai.

Thënë këtë, Arben Tafaji nuk komenton qeverisjen katervjeçare të Bashës në kryeqytet, pasi ndan bindjen se është një kandidat që sheh nga e ardhmja, dhe jo nga e shkuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button