Armë për Tajvanin, Kina thërret të dërguarin e SHBA në Pekin
Kina ka thirrur për sqarim të ngarkuarin me punë të Shteteve të Bashkuara në Pekin, në shenjë proteste ndaj njoftimit të Uashingtonit se, do t’i shesë dy luftanije Tajvanit.
Zv.ministri i Jashtëm kinez, Zheng Zeguang zhvilloi një takim me Kaye Lee, i ngarkuari me punë i administratës amerikane.
Marrëveshja e armëve SHBA-Tajvan, me vlerë 1.8 miliardë dollarë, vjen në një kohë kur tensionet në Azi janë rritur për shkak të pretendimeve të Kinës në Detin e Jugut. Nga ana e tij, Tajvani i shprehu mirënjohje Uashingtonit për ndihmën e ofruar në fushën e mbrojtjes.
Kina e sheh Tajvanin si një provincë autonome që një ditë do të bashkohet sërish me “tokën mëmë”, sidomos tani që marrëdhëniet mes tyre janë ngrohur.
Liderë nga të dyja vendet u takuan muajin e kaluar, për herë të parë që nga fundi i luftës civile të vitit 1949. Por Kina ruan të drejtën e përdorimit të forcës në rast se Tajvani përpiqet të sigurojë pavarësinë.
Në një deklaratë zyrtare thuhet se zoti Zheng i ka thënë bashkëbiseduesit se, “Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës dhe se kundërshton fuqishëm blerjen e armëve nga Shtetet e Bashkuara”.
Në të thuhet gjithashtu se, marrëveshja ka dëmtuar seriozisht sovranitetin e Kinës dhe interesat e sigurisë, si dhe paralajmërohet sanksionimi i kompanive amerikane të përfshira në të.
Nga ana e tij, Uashingtoni zyrtar deklaroi se marrëveshja, e para në 4 vjet, ishte diccka normale në kuadër të politikës së tij afatgjatë furnizimit me armë të Tajvanit.
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë cënuar në vitet e fundit për shkak të ndërtimit nga qeveria e Pekinit të ishujve artificialë në zonën e diskutuar detare të Detit të Jugut.