🌦️
Tiranë 17°C · Rrebesh i lehtë 18 Nëntor 2026
S&P 500 7,333 ▼0.1%
DOW 50,326 ▼0.85%
NASDAQ 24,417 ▲0.36%
NAFTA 81.83 ▼3.33%
ARI 3,752 ▼2.91%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0999 EUR/GBP 0.8330 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.5258 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6616 EUR/TRY 55.4619 EUR/JPY 175.28 EUR/CAD 1.5720 EUR/USD 1.0999 EUR/GBP 0.8330 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.5258 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6616 EUR/TRY 55.4619 EUR/JPY 175.28 EUR/CAD 1.5720
₿ CRYPTO
BTC $63,251 ▼ -0.68% ETH $1,775 ▼ -0.22% XRP $0.9818 ▲ +2.55% SOL $73.7400 ▲ +2.15%
S&P 500 7,333 ▼0.1 % DOW 50,326 ▼0.85 % NASDAQ 24,417 ▲0.36 % NAFTA 81.83 ▼3.33 % ARI 3,752 ▼2.91 % S&P 500 7,333 ▼0.1 % DOW 50,326 ▼0.85 % NASDAQ 24,417 ▲0.36 % NAFTA 81.83 ▼3.33 % ARI 3,752 ▼2.91 %
EUR/USD 1.0999 EUR/GBP 0.8330 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.5258 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6616 EUR/TRY 55.4619 EUR/JPY 175.28 EUR/CAD 1.5720 EUR/USD 1.0999 EUR/GBP 0.8330 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.5258 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6616 EUR/TRY 55.4619 EUR/JPY 175.28 EUR/CAD 1.5720
18 Nën 2026
Breaking
Opinion

Armiku real i realizimit të buxhetit dhe pasojat afatgjata në ekonomi

Nga Mero Baze

Shqipëria po diskuton sot buxhetin më të madh në historinë e saj, i cili shkon në rreth 10 miliardë euro dhe teorikisht duhet t’i japë një impuls të ri ekonomisë shqiptare.

Arsyet përse rritja e buxhetit vjetor të qeverisë shqiptare, i cili gjatë viteve të fundit ka njohur vetëm rritje, nuk përkthehet me të njëjtin ritëm në rritjen ekonomike të vendit, janë relativisht të reja për një ekonomi tregu dhe një demokraci hibride si e jona.

Perceptimi i parë për arsyet e dështimit të buxhetit lidhet me korrupsionin në prokurimet publike. Duke qenë se korrupsioni i administratës është temë e përditshme e çdo shqiptari, shumë prej problemeve të buxhetit i kemi shpjeguar me të.

Por, nëse nisemi nga shifrat, rezultati del ndryshe.

Vitin e kaluar, investimet e parashikuara në buxhet ishin rreth 1,8 miliardë euro, ndërsa deri në shtator ishin realizuar vetëm rreth 600 milionë euro. Pra, afro 35 për qind e planit të investimeve.

Kështu që torta e korrupsionit, aq shumë e përfolur, zbret automatikisht nga 1,8 miliardë në 600 milionë euro. Tani, edhe nëse administratën tonë do ta konsideronim, padrejtësisht, më të korruptuarën në botë dhe do të mendonim se abuzohet me 10 për qind të këtij buxheti, mund të flisnim për rreth 60 milionë euro abuzime të hamendësuara.

Nëse këto para hyjnë në tregun e zi, në formën e parasë fizike, dhe u referohemi statistikave, përsëri do të përfaqësonin rreth 10 për qind të parasë fizike që qarkullon në ekonomi.

Gjatë vitit të kaluar, sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e parasë fizike në qarkullim ka qenë rreth 600 milionë euro, po aq sa investimet e realizuara.

Pra, në të njëjtën periudhë, qeveria ka hedhur në treg përmes investimeve 600 milione euro, po aq para sa ekonomia ka shtuar në formën e parasë cash.

Kështu që pesha e korrupsionit të pretenduar në ekonomi është zëri më i ulët dhe faktori me ndikimin më të vogël në informalitet dhe në rritjen ekonomike.

E kundërta është e vërtetë. Beteja e SPAK-ut kundër korrupsionit është faktori kryesor përse investimet publike në ekonominë shqiptare realizohen tani vetëm në masën 35 për qind. SPAK-u, me brutalitetin dhe klimën represive të krijuar mbi administratën, sidomos përmes paraburgimeve, i ka hequr ekonomisë shqiptare gjatë vitit të kaluar së paku 1,2 miliardë euro. Këto para digjen në fund të vitit ose shpërndahen nga Edi Rama për pagesa të panevojshme të borxhit të jashtëm, i cili ka arritur ndër nivelet më të ulëta në botë.

Pra, paradoksi është se lufta e shpallur kundër korrupsionit ka frenuar realizimin e buxhetit dhe ka mposhtur motivimin që mund të ketë administrata për t’i tenderuar fondet buxhetore, qoftë edhe duke pranuar rrezikun e korrupsionit.

Ky fenomen do të vazhdojë të thellohet. Sa më shumë të rritet buxheti i qeverisë, aq më të madh do ta kemi në fund të vitit zërin e parealizuar të investimeve, pikërisht për shkak të frenimit të administratës për t’i realizuar ato nga klima represive e krijuar rreth tenderimit.

Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ministrat apo zyrtarët kyç të prokurimeve, por për qindra mijëra nëpunës dhe anëtarë të komisioneve të tenderave, të cilët duhet të firmosin dhe krijojnë me vetëdije mijëra pengesa për t’iu shmangur prokurimeve.

Në fund, beteja jonë ideologjike kundër korrupsionit do të përfundojë si një betejë kundër investimeve publike në Shqipëri dhe do ta kthejë qeverinë në një aparat që mbledh para, por nuk arrin t’ia rikthejë ato ekonomisë përmes investimeve.

Për këtë nevojitet një reformë reale ligjore, jo vetëm për thjeshtimin e procedurave të prokurimit dhe mbrojtjen e nëpunësve, por edhe një politikë penale që të mos ketë si objektiv domosdoshmërisht ndëshkimin e çdo anëtari të një komisioni tenderash. Ata nuk mund të konsiderohen apriori kriminelë për shkak të retorikës së shtypit apo të portaleve, ku biznesmenët gjobitin njëri-tjetrin sa herë humbasin tenderët.

Nëse edhe vitin tjetër buxheti i investimeve realizohet në masën 35 për qind, si këtë vit, do të thotë se rreth 1,5 miliardë euro do të digjen në fund të vitit për shkak të kësaj klime të re që ka krijuar drejtësia në raport me prokurimet publike.

Edhe pse krahasimi çalon, ky është realisht “dëmi” që drejtësia e re i shkakton ekonomisë çdo vit. Ai është disa herë më i madh se dëmi teorik që vjen prej korrupsionit dhe, në periudhë afatgjatë, disa herë më i madh se çdo faktor tjetër që frenon ekonominë shqiptare.

As droga, as korrupsioni dhe as paraja fizike nuk mund ta godasin ekonominë shqiptare me 1,5 miliardë euro në vit, aq sa e godet hezitimi i administratës për të tenderuar buxhetin e investimeve për shkak të klimës represive të krijuar ndaj saj.

Natyrisht, nuk mund të heqim dorë nga drejtësia për shkak të kësaj. Por drejtësia duhet të heqë dorë nga pasioni për ta kthyer në qëllim ndëshkimin e nëpunësve për çdo detaj teknik të tenderimit, në një vend ku rregullat e konkurrencës janë aq relative, sa mund të fusësh në burg këdo që është i detyruar të prokurojë fonde publike për investime.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.