Armin Laschet dëshiron të arrijë në majë dhe lufton për Kancelar të Gjermanisë
Armin Laschet dëshiron të bëhet kancelar. Por kreu i CDU-së ndodhet nën presion. Sondazhet e shohin atë në rënie. Në fazën e fundit të fushatës Laschet po lufton dhe paralajmëron nga rreziku i një zhvendosjeje majtas.
Kryeministri i landit gjerman Nordrhein-Westfalen (NRW) Armin Laschet drejton CDU-në që nga mesi i janarit. Në zgjedhjet parlamentare të 26 shtatorit, 60-vjeçari garon për postin e kancelarit për partitë CDU dhe CSU. Por të paktën që pas katastrofës së përmbytjeve me mbi 170 viktima, që goditi landin Rheinland-Pfalz dhe disa zona të landit Nordrhein-Westfalen, kryetari i CDU-së gjendet nën presion. Që nga fundi i gushtit SPD socialdemokrate tregon rezultate më të mira në sondazhe se sa partitë konservatore të Unionit CDU-CSU. Disa ditë para zgjedhjeve më 26.09. kryetari i CDU nuk duket më si i preferuari.
Në fakt Laschet reagoi menjëherë ndaj përmbytjeve. Ai ofroi mbështetje për qeverinë e landit të dëmtuar, bisedoi me njerëzit e prekur nga katastrofa dhe me ndihmësit. Por prezantimi i tij u dëmtua nga deklaratat që tregonin një kurs shmangieje dhe nga sjellja e papërshtatshme.
Duke qeshur dhe këmbëngulur
Pas një vizite të përbashkët me Presidentin gjerman në komunën e dëmtuar me 50.000 banorë të Erftstadt-it, në jugperëndim të Këlnit, ndërsa Frank-Walter Steinmeier shprehte shqetësimin dhe tronditjen e tij, kamerat kapën disa metra pas kreut të shtetit Armin Laschet-in, duke bërë shaka me disa punonjës dhe duke u dridhur nga të qeshurat. Kryeministri kërkoi disa herë falje për këtë skenë në ditët që pasuan. Por edhe vlerësimi i tij për shirat e rrëmbyeshëm shkaktoi irritim. “Vetëm sepse sot është një ditë e tillë, ne nuk do të ndryshojmë politikën”, tha ai fillimisht me vendosmëri, kur shumica fliste tashmë për një lidhje mes motit dhe ndryshimit të klimës. Por disa ditë më vonë ai theksoi, “ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të luftuar ndryshimet klimatike”.
Që nga emërimi i tij si kandidat për kancelar Laschet nuk është përcaktuar qartë për shumë çështje, që ngrihen në fushatën parazgjedhore ose në intervista. Prandaj programi zgjedhor i paraqitur në mes të qershorit nga dy partitë e Unionit, CDU, që konkurron në 15 nga 16 landet gjermane, dhe CSU, që ekziston vetëm në Bavari dhe është vetëm atje në fletët e votimit, mbetet e pakonkretizuar në disa pika.
Në disa gjëra Laschet është për vazhdimësinë e politikës së Merkelit, në të tjera ai ndryshon dhe këtë nuk e thotë me zë të lartë. Një nga përjashtimet e pakta ishte vlerësimi i tij për tërheqjen nga Afganistani dhe zhvillimet dramatike në vend. Ai foli për një “katastrofë” për Perëndimin dhe qeverinë gjermane.
Në luftë për pushtet kundër Söder
Në mesin e prillit kryeministri i landit më të populluar fitoi si kandidat i Unionit për kancelar në një luftë të ashpër kundër kryetarit të CSU Markus Söder. Sondazhet flisnin qartë për Söder dhe kundër Laschet. Por kryetari i CDU-së tregoi nerva dhe durim të fortë. Karakteristika themelore që i nevojiten një kryetari qeverie.
CDU e mesit
Çfarë përfaqëson Laschet? Kur një kongres komplet digjital i partisë CDU në janar 2021 e zgjodhi Laschet-in kryetar partie në votimin e dytë kundër Friedrich Merz me 53 përqind të delegatëve dhe një votim pasues me postë e konfirmoi atë me 83.5 përqind, shumë e konsideruan si garantues për kursin e deritanishëm të Merkelit. Armin Laschet, një nga pesë nënkryetarët federalë të CDU që nga viti 2012, ka qenë prej kohësh partneri i besueshëm i kryetareve Angela Merkel (deri në vitin 2018) dhe Annegret Kramp-Karrenbauer (2018-2020). Dhe shfrytëzoi pastaj dobësitë e paraardhëses së tij për të ardhur në pozitë. “Ne do të fitojmë vetëm nëse qëndrojmë të fortë në mes”, kjo frazë dëgjohet shumë shpesh në fjalimet e tij.
Me këtë moto Laschet u bë kryeministër i landit Nordrhein-Westfalen në 2017, kryetar partie në janar 2021, dhe më pas kandidat për kancelar në muajin prill. Në të njëjtën kohë katoliku nga qyteti Aachen thekson shpesh dhe me vetëdije traditën e gjatë të ndikimit të zonës e Rinit në CDU. Vetëm njëri nga tetë kancelarët gjermanë të deritanishëm vjen nga landi Nordrhein-Westfalen: kancelari i parë Konrad Adenauer (1949-1963), që themeloi dhe bashkoi partinë. Selia e partisë në Berlin mban emrin e tij edhe sot e kësaj dite.
Dikur besnik i Merkelit
Laschet ka një bashkëpunim të ngushtë me kancelaren Angela Merkel. Kur Merkel u kritikua nga disa pjesë të partisë së saj për shkak të hyrjes së qindra mijëra refugjatëve që prej vitit 2015, Laschet i qëndroi asaj besnik.
Por gjatë defekteve dhe dobësive në luftën kundër pandemisë korona Laschet gradualisht u distancua nga kancelarja. “Ne nuk mund të vazhdojmë kështu”, u shpreh ai në debatin për shtrëngimin e masave për Pashket 2021.
Laschet dhe Të Gjelbrit
Toni midis partive të Unionit dhe Të Gjelbërve është ashpësuar që nga emërimi i tij. Të dy kampet kanë problemet e tyre me kandidatët për kancelar: Laschet, që është përballur me disa skandale të vogla gjatë periudhës së tij në NRW, dhe me paraqitjen e tij të papërshtatshme në kohën e përmbytjeve, kandidatja e Të Gjelbërve Annalena Baerbock me te dhëna biografike të pasakta dhe me botimin e një libri programatik pjesërisht të kopjuar.
Por ishte Lascheti, i cili para disa dekadash për çështje politike si integrimi kishte më shumë aleatë tek Të Gjelbrit se tek partia e tij. Lascheti, i cili pasi hyri ne Bundestag në 1994, punoi shpejt për krijimin e një raporti miqësor mes politikanëve të Unionit dhe Të Gjelbërve.
Slogani i tij si kandidat për kryesinë e CDU-së në janar vlen edhe si slogan në fushatën si kandidat i Unionit për kancelar: “T`i bëjmë vitet njëzet një dekadë modernizimi për Gjermaninë: dinamizëm të ri ekonomik, siguri gjithëpërfshirëse, mundësi më të mira dhe më të drejta për arsimim”.
Nga poshtë deri lart
Armin Laschet i njeh të gjitha anët e politikës. I diplomuari në drejtësi ai ka qenë anëtar i këshillit të qytetit Aachen (1989-2004), i Bundestagut (1994-98), i Parlamentit Evropian (1999-2005) dhe Parlamentit të landit Nordrhein-Westfalen (që nga viti 2010). I rritur në rajonin kufitar me Belgjikën, ai mendon si evropian. Që nga viti 2019 Laschet është edhe përfaqësues i Gjermanisë për marrëdhëniet kulturore franko-gjermane. Kështu që ai mban prej kohësh kontakte të ngushta me udhëheqjen politike në Paris. Në marrëdhënien transatlantike Laschet, i cili në 2019 zhvilloi një vizitë disaditore në SHBA si kryeministër i landit gjerman NRW, sigurisht që ka për të thelluar.
“Armin Laschet është një politikan me të gjitha predispozitat për të ushtruar postet më të larta partiake dhe shtetërore në nivel kombëtar”, thuhet prej shumë javësh në faqen kryesore të Fondacionit Konrad Adenauer, i afërt me CDU. Laschet do të duhet t’i bindë votuesit për këtë. “Një kryeministër, që qeveris me sukses një land gjerman me 18 milion njerëz, mund të jetë edhe kancelar”, i pëlqen atij të thotë.
Pas zgjedhjeve
Por për këtë atij do t’i duhen partnerë koalicioni. Në Düsseldorf ai drejton një koalicion të CDU dhe FDP, në nivel federal qeveria përbëhet nga partitë e Unionit dhe socialdemokratët. Sido që të jenë rezultatet në javët pas zgjedhjeve atij do t’i duhet të gjejë partnerë për një aleancë politike. Lidhur me AfD-në e djathtë populiste Laschet përsërit vazhdimisht refuzimin e çdo bashkëpunimi dhe tolerance. Por rruga për në zyrën e kancelarit është ende një rrugë e gjatë dhe e vështirë.
Disa javë para zgjedhjeve, duket sikur CDU-CSU mund të formojë një qeveri të ardhshme dhe të mbajë postin e kancelarit vetëm në një koalicion me Të Gjelbrit dhe Liberalët. Sepse në fund të gushtit SPD i tejkaloi partitë e Unionit në një sërë sondazhesh serioze. Nga viti 2002 CDU-CSU ka kryesuar gjithmonë barometrin politik.
Kandidati është nën presion. Shpesh Unioni CDU-CSU ka kërkuar nga Lascheti të jetë më luftarak. Tani ai sulmon me forcë SPD-në dhe paralajmëron nga rreziku i zhvendosjes së republikës majtas. Për këtë ai u përgëzua në një kongres të partisë, CSU dy javë para zgjedhjeve. Në fazën përfundimtare të fushatës zgjedhore ai do të ketë disa paraqitje publike me kancelaren Merkel. Me ish konkurrentin Merz ai dëshiron të theksojë kursin e politikës ekonomike dhe financiare. Dhe vetë Laschet thekson se fitorja e ngushtë e CDU-së në landin Nordrhein-Westfalen, me bindje socialdemokrate, në vitin 2017 befasoi shumë ekspertë. Ai tani dëshiron që kjo të ndodhë përsëri.