Aro Muriq vjen te Kosova pas shkëlqimit në Serie A
Aro Muriq priti penallti të Manuel Locatellit në minutën e 87-të për t’ia siguruar një pikë Sassuolos në udhëtimin e vështirë te Juventusi, të shtunën mbrëma.
Muriq pati edhe disa pritje vendimtare dhe vjen te Kosova në momentin më të mirë të mundshëm. Ai pritet ta ruajë portën e Kosovës në ndeshjen historike ndaj Sllovakisë, të enjten në Bratislavë.
Muriq ishte më i miri në ndeshjen e Serie A, që përfundoi 1:1.
“Mendoj se ekipi është paraqitur shumë mirë. Ka të bëjë me energjinë dhe ne e kishim atë. Kemi krijuar shumë shanse po ashtu dhe mendoj se e meritojmë të kthehemi në shtëpi me një pikë”, ka thënë Muriq për “Sky Sport Italia”.
Ai ishte i bindur se do ta ndalte gjuajtjen e Locatellit nga pika e bardhë. Juve ka humbur tri penallti rresht në Serie A, ndërsa Muriq e ka ndalur të parën në përpjekjen e pestë.
Shtatlarti kishte pritje vendimtare edhe në minutat shtesë.
“Ka të bëjë me ndjenjën. Në momentin që ka goditur topin Locatelli kam menduar se do ta ndal atë. Ishte ndjenjë besimi. Goditja me kokë nga Milik ishte shumë më e vështirë, por ia dola ta ndali edhe atë. Kështu që ishte ndeshje e madhe”, ka shtuar portieri i Kosovës.
Ai është lavdëruar edhe nga kapiteni i Sassuolos, Domenico Berardi.
Muriq u shpall më i miri i ndeshjes.
“Aro na ka dhënë ndihmë të madhe për një kohe. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme dhe ka impresionuar me paraqitje”, ka thënë Berardi./KOHA



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.