Arrestohen nëntë persona për mashtrim me Call Center në Prishtinë, dyshohet se mashtruan shtetas suedezë përmes investimeve në Bitcoin
Nëntë persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në mashtrime përmes qendrave të thirrjeve (Call Center).
Sipas një njoftimi për media thuhet se rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026, në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku të pandehurit duke vepruar si grup, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë vënë në lajthitje të dëmtuarit – shtetasit Suedezë.
“Ndalohen nëntë persona të dyshuar për rastin për shkak të Mashtrimit me Call Center Ferizaj, 23 Tetor 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Përgjithshëm, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48- orësh, nëntë (9) persona të dyshuar me inicialet: P.R, A.P, F.Z, D.H, B.E, T.S, D.H, R.H dhe D.M, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026, në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku të pandehurit duke vepruar si grup, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë vënë në lajthitje të dëmtuarit – shtetasit Suedezë, duke i nxitur që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, përmes qendrave të thirrjeve ilegale (Call Center), duke u paraqitur si ofertues të investimeve në kriptovaluata (Bitcoin), ashtu që pas investimit, mjetet e tyre janë transferuar në llogari të tjera të panjohura, me ç’rast të dëmtuarve i’u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim gjatë zhvillimit të aksionit, dy të pandehurit R.H dhe D.H, kanë sulmuar zyrtarët policor në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, për çka dyshohen se kanë kryer edhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.