Arrestohet 65-vjeçari nga Nikshiqi: goditi qëllimisht makinën e eskortës së drejtorit të policisë Shqepanoviq
Shefi i sigurimit të Bankës së Parë, Milan Gjukanoviq (65), është arrestuar nën dyshimin se ka rrezikuar eskortën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë, Llazar Shqepanoviq, në rrugën magjistrale Nikshiq–Danillovgrad, siç njofton Vijesti, duke iu referuar njoftimit të Drejtorisë së Policisë.
Sipas policisë, Gjukanoviqi më 15 tetor, me një automjet “Volkswagen”, parakaloi në mënyrë të paligjshme eskortën nga Kujava drejt Bogetiqit dhe më pas goditi qëllimisht njërin prej automjeteve të saj, duke i shkaktuar dëme të vogla. Në automjetin e goditur nuk ndodhej vetë Shqepanoviqi. I dyshuari nuk u ndal as pas sinjalit të qartë të ndalimit nga policët e angazhuar për sigurinë e drejtorit dhe vazhdoi lëvizjen, derisa u ndalua nga policët e Nikshiqit.
Gjatë kontrollit, Gjukanoviqi refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit, arsye për të cilën fillimisht u arrestua dhe u dërgua te gjyqtari kujdestar i Gjykatës për Kundërvajtje, ndërsa automjeti iu sekuestrua përkohësisht për verifikime të mëtejshme. Siç njofton Vijesti, gjatë marrjes në pyetje ai u tha policëve se e dinte e kujt ishte eskorta, dhe policia thotë se e njeh edhe motivin e veprimit të tij, por nuk e ka bërë publik.
Në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Nikshiq, policët bastisën objektet që përdor i dyshuari në Nikshiq, Danillovgrad dhe Podgoricë, si edhe automjetin e tij, ku gjetën dhe sekuestruan një pistoletë “Magnum” me 14 fishekë dhe 117 fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshëm, për të cilët ai nuk kishte dokumentacion. Prokurori shtetëror në Prokurorinë Themelore Shtetërore në Nikshiq e cilësoi veprimin si veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e veprimit zyrtar dhe urdhëroi arrestimin e Gjukanoviqit, ndërsa për armën dhe municionin e gjetur do të shprehet pas masave shtesë.
“Policia dënon sulmet e vazhdueshme ndaj personave të mbrojtur dhe bartësve të funksioneve kyçe në luftën kundër krimit dhe njofton opinionin se çdo sulmi të tillë do t’i përgjigjet në përputhje me ligjin, me vendosmëri dhe në kohë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.