Arte

Art me maskën e vdekjes së Enver Hoxhës

Për herë të parë, maska e diktatorit do të ekspozohet për publikun

Ardian Isufi është ndalur shpesh tek e shkuara, për të marrë prej andej motive që e nxisin në një reagim artistik. Nga ndërhyrjet tek bunkerët e komunizmit, tek instalacionet që shpesh kanë pasur një gjuhë që tregonte sa e vështirë ka qenë jeta në një sistem komunist. Arti duhet të provokojë, pasi debatet janë të nevojshme në një shoqëri në zhvillim. Këtë herë, artisti ka vendosur të përballet me vetë diktatorin. Një përballje artistike nga e cila ai do t’i bëjë një antihomazh historisë. Më 16 shtator, ai do të prezantojë në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën “Antihomazh”, ndërtuar mbi një instalacion i cili e vendos publikun përballë ish-udhëheqësit komunist. Arkiva e Muzeut Historik Kombëtar ka në përbërjen e saj maskën e vdekjes së Enver Hoxhës, që është një artefakt shumë interesant, të cilin Isufi do ta shfaqë në formën e një instalacioni artistik. “Krijimtaria ime e viteve të fundit dhe qëmtimet e mia artistike nëpërmjet artit pamor në kontekstin social dhe shoqëror më nxisin të realizoj një ekspozitë si ndërhyrje artistike tepër të studiuar si në rrafshin historik por edhe antropologjik! Arti bashkëkohor në ditët e sotme ka integruar në vetvete shumë elemente të historisë, duke bashkëpunuar në shumë fusha të karakterit human dhe duke i ndërthurur me mundësitë e mëdha që të jep për të komunikuar gjuha pamore”, thotë ai. Isufi e sheh si një qasje të re konceptuale të marrëdhënies që do të ketë çdo individ duke u përballur me diktatorin (maskën e tij) dhe si shkak-pasojë edhe me historinë e diktaturës. “Publiku përmbyll instalacionin që rrugëton fillimisht ne një ‘tunel izolimi’ dhe qëndron për pak çaste përballë Enver Hoxhës, duke krijuar një kontakt imagjinar me kohën, ne e rivendosim në gjykim eksperiencën tonë përballë izolimit totalitar. Ky kontakt me maskën-portret na shtyn në një kontakt psikologjik, ku mimika apo gjestikulacioni emocional i portretit të çdo vizitori do të dokumentohet si ANTIHOMAZH me historinë tonë të diktaturës dhe për këtë arsye, rruga e kontaktit përballë kësaj maske vdekje do të jetë nëpërmjet një tuneli mental, që do të instalohet si labirinth i përroit psikologjik në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar”, thotë Isufi. Nuk është hera e parë që Isufi provokon me figurën e diktatorit Hoxha. Vetëm pak muaj më parë, në ekspozitën e Bienales së Artit të Torinos që u hap në Tiranë, ai bëri një ndërhyrje mbi kopertinën e librit “Dimri i madh” të shkrimtarit Ismail Kadare. “Krijimtaria ime e viteve të fundit është refleksion mbi simbole dhe mite që u përdorën përgjatë regjimit komunist në Shqipëri në dialog me të tashmen postkomuniste! Hijet e kësaj kohe totalitare vazhdojnë të zgjatohen edhe pas rënies së Murit të Berlinit, duke na mbajtur peng në psikikën tonë kolektive. Pra, në këtë kontekst për të ‘çmitizuar’ paradoksin e qëndrimit tonë ironizoj me shenja apo simbole komuniste duke i zhveshur nga përmbajtja apo rëndësia e tyre për të kuptuar forma të reja alternative të mendimit dhe për t’i hequr përfundimisht peshën nga absurdi i kohës së tyre”, thotë Isufi. Ekspozita me titull “Antihomazh” do të hapet më 16 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri më 22 shtator në Muzeun Historik Kombëtar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button