Tiranë 6°C · Pjesërisht vranët 13 March 2026
S&P 500 6,673 ▼1.52%
DOW 46,678 ▼1.56%
NASDAQ 22,312 ▼1.78%
NAFTA 95.72 ▼0.01%
ARI 5,096 ▼0.58%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1531 EUR/GBP 0.8628 EUR/CHF 0.9041 EUR/ALL 96.1954 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4310 EUR/TRY 50.9336 EUR/JPY 183.50 EUR/CAD 1.5700 EUR/USD 1.1531 EUR/GBP 0.8628 EUR/CHF 0.9041 EUR/ALL 96.1954 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4310 EUR/TRY 50.9336 EUR/JPY 183.50 EUR/CAD 1.5700
₿ CRYPTO
BTC $71,214 ▲ +2.47% ETH $2,092 ▲ +3.03% XRP $1.4132 ▲ +2.95% SOL $88.3200 ▲ +3.52%
S&P 500 6,673 ▼1.52 % DOW 46,678 ▼1.56 % NASDAQ 22,312 ▼1.78 % NAFTA 95.72 ▼0.01 % ARI 5,096 ▼0.58 % S&P 500 6,673 ▼1.52 % DOW 46,678 ▼1.56 % NASDAQ 22,312 ▼1.78 % NAFTA 95.72 ▼0.01 % ARI 5,096 ▼0.58 %
EUR/USD 1.1531 EUR/GBP 0.8628 EUR/CHF 0.9041 EUR/ALL 96.1954 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4310 EUR/TRY 50.9336 EUR/JPY 183.50 EUR/CAD 1.5700 EUR/USD 1.1531 EUR/GBP 0.8628 EUR/CHF 0.9041 EUR/ALL 96.1954 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4310 EUR/TRY 50.9336 EUR/JPY 183.50 EUR/CAD 1.5700
13 Mar 2026
Breaking
Opinion

As Balluku nuk e afroi dot kilometrin e fundit

SKENDER MINXHOZI

Opozita ka kohë që premton se vendi ndodhet në kilometrin e fundit të rrëzimit të qeverisë. Dhe ku kishte rast më të mirë se votimi për imunitetin e ish zv.kryeministres Balluku për ta bërë këtë. Demokratët kanë thyer karrige, kompjutera e tavolina për fabula shumë më të dobëta se ky votim delikat. Megjithatë sot në Kuvend nuk u pa asgjë nga repertori i zakonshëm i tymit, bilbilave dhe dhunës fizike. As Noka, as Bardhi dhe as të tjerët rrotull tyre nuk kaluan në “modalitet force” por pritën të qetë votimin që tashmë nuk fshihte asnjë surprizë: 47 me 82 kundër heqjes së imunitetit!

Shumë arsye ka që ky reagim i butë i ka zënë vendin rrugës së ashpër në këtë ditë tejet sensistive për politikën shqiptare, kur po vendoset një precedent që do të shërbejë edhe për më tej. Ndoshta është pikërisht lloji i precedentit që ka bërë të pushojnë vuvuzelat e bombat tymuese. Është frika e kuadratit parlamentar (përfshirë deputetët opozitarë) që mund t’i ketë bërë të mendohen mirë edhe ata që e duan Belinda Ballukun e Edi Ramën jashtë pushtetit dhe mundësisht në burg.

Është frika që thote se kur të vjen mandata e Spakut, bien spaletat e pushtetit, bodigardët, protokolli dhe të gjitha ofiqet e tjera, në këmbim të prangave, kontrolleve në mesnatë dhe gjithfarë trukesh të tjera të shëmtuara që kemi parë të konsumohen ndaj Ahmetajt, Metës, Veliajt e Beqajt dhe një liste tjetër zyrtarësh të të gjitha niveleve.

Është gjithashtu frika që politika (edhe ajo opozitare) ka nisur të ketë nga aspektet abuzuese të drejtësisë speciale të cilën vetë këta politikanë e votuan dhjetë vite të shkuara. Paraburgimet abuzive, refuzimet për të dhënë mundësinë e njohjes së të pandehurve me dosjet hetimore e mbylljet e tyre nëpër regjime sigurie që i ngjajnë izolimit të kriminelëve – të gjitha këto duket se kanë bërë të mendohen shumë koka në atë sallë sot, për këtë që po ndodh. Shikoni sesi e trajtojnë Veliajn, kryetarin në detyrë të bashkisë Tiranë dhe e kuptoni hezitimin e politikës ndaj Spak.

Së dyti qëndrimi i sotëm thuajse gojëmbyllur i opozitës, teksa kishte premtuar të niste fanfarën e tymit e zjarrit nëpër Tiranë, duket se ka edhe një motiv diplomatik pas perdes. Gabimi i protestës së fundit, me goditjen e ish-vilës së Enver Hoxhës e cila sot nuk mban brenda krerët e Bllokut të dikurshëm por artistë të huaj, tërhoqi reagimet e forta të ambasadave në Tiranë.

Eshtë pikërisht ai lloj gabimi që qeveria mundohet ta shfrytëzojë tek Berisha sa herë që ai godet institucionet. Me gjasë ajo që ndodhi sot ka nga pas edhe paralajmërimin e ambasadave perëndimore për të mos kaluar në vandalizëm parlamentar gjatë votimit për imunitetin e Belinda Ballukut.

Së fundi, mjafton të shohësh fotot ajrore të protestës tek parlamenti për të kuptuar arsyen themelore të mbylljes së kësaj te enjteje kryeqytetase pa buletin lufte, guerrilje urbane dhe të tjera si këto. Paraprakisht ministria e brendshme kishte njoftuar se Kuvendin do ta rrethonin 1500 trupa sigurie. Përballja në terren qe shumë e padrejtë: 1500 policë me jo më shumë se 300 protestues të pranishëm në hyrjen e Kuvendit (duke llogaritur edhe mediat mes tyre). Pak si vështirë të mbulosh kilometrin e fundit në këto raporte force. Nuk të ndihmon dot madje as Belinda!

Situata aktuale që përfshin një përballje të politikës me drejtësinë e re ka në thelb një paradoks të madh të cilin e kemi parë të konsumohet gjatë gjithë këtyre viteve. Opozita e ka anatemuar reformën, ka mallkuar prokurorët e gjyqtarët dhe ka hedhur poshtë çdo hetim që ka nisur ndaj saj. Pozita nga ana tjetër ka hapur me vite krahun që të hetohen e burgosen zyrtarët e vet duke përdorur shprehjen e famshme “partia nuk është zyrë avokatie”.

Në rastin Balluku këto kahje u përmbysën. Opozita u bashkua me kërkesën e Spak (formalisht), qeveria doli kundër prokurorisë së posaçme. Natyrisht interesi politik luajti rol në të dyja sjelljet përkatëse por sërish ky ndërrim krahu përbën një risi që vlen të nënvizohet. Sepse përtej rastit Balluku përballja e politikës me drejtësinë duket se po afrohet me shpejtësi e kjo nuk prek domosdoshmërisht vetëm qeverinë, por të gjithë  klasën politike. Shenjat kanë kohë që duken, mbetet të shihet sesi do të konsumohet e çfarë do të prodhojë kjo krizë institucionale e kushtetuese.

Ndërkohë Berisha shpalli datën e radhës për të mbyllur kilometrin e fundit. Edhe një herë revolucioni duhet të presë stacionin tjetër për të zbritur në tokë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.