Asambleja Parlamentare e SEECP, Meta: Bashkëpunimi, domosdoshmëri për rajonin
Bashkëpunimi është një domosdoshmëri për rajonin. Kështu u shpreh sot Kryetari I Kuvendit , Ilir Meta, në takimin e XIII-të te Grupit të Punës së Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, që zhvilloi punimet në Tiranë.
“Zhvillimet e fundit në rajon përforcojnë domodoshmërinë e avancimit në procesin e integrimit evropian të vendeve anëtare të nismës tonë” , tha Meta, duke shtuar se, “duhet të konkretizojmë projektet tona të përbashkëta rajonale edhe në frymën e Konferencës së Berlinit që u mbajt në fund të gushtit”.
Duke theksuar vazhdimësinë e parimeve të kartës së SEECP, theksoi Meta, “prioritetet tona do të fokusohen në përforcimin e bashkëpunimit rajonal të SEEECP”.
Gjithashtu, shtoi Meta, “Institucionalizmin e dimensionit parlamentar të SEECP, përmes Asamblesë Parlamentare, e shohim si një qasje shumë të mirë. Në këtë drejtim konfirmoj edhe një herë vullnetin tonë të plotë për të dhënë ndihmesën tonë në progresin dhe zgjidhjen e çështjeve kryesore”.
“Mendoj se në konteksin global historik ku jetojmë, marredhëniet rajonale janë të rëndësishme. Jam i bindur se përmes fuqisë bashkëpunuese të BE mund të kontribuojmë në zhvillimin rajonal”, tha Meta në fjalën e tij.
Punimet e takimit të XIII-të të Grupit të Punës së Asamblesë Parlamentare të SEECP-së u drejtuan nga Kryetari i Delegacionit te Kuvendit te Shqipërisë në SEECP, Taulant Balla.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të kësaj Asambleje si: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Kosova.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë do të ushtrojë mandatin e vet si kryesues i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, gjatë një periudhe vendimtare për organizatën.
Rreth SEECP
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunim për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të gjithë vendeve të rajonit.
Duke e konsideruar bashkëpunimin dhe integrimin rajonal si parakusht të integrimit në strukturat Euro-Atlantike, SEECP është një proces unik, i themeluar me iniciativën e vetë vendeve të rajonit, zëri i të cilave është unifikuar për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane.
Fillimet e Procesit te Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), datojnë në qershor të vitit 1996, me Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Evropës Juglindore, që u mbajt në Sofje, të Bullgarisë, më synim promovimin dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe transformimin e rajonit në një zonë të paqes, sigurisë, stabilitetit.
Shqipëria është një anëtare aktive e kësaj organizate rajonale dhe synon forcimin e dialogut politik, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes rajonal, rritjes së sigurisë etj. SEECP përbëhet nga 13 vende anëtare si: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Kosova.
Objektivat kryesore të SEECP
Objektivi parësor i SEECP është forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit, transformimi i rajonit në një zonë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit, nëpërmjet frymës së solidaritetit dhe në të mirë të qytetarëve të vendeve të rajonit.
Së dyti, krijimi i një Evropë Juglindore, e ardhmja e së cilës projektohet në paqe, demokraci, prosperitet ekonomik dhe integrim në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, duke qenë të përkushtuar në vazhdimin e reformave demokratike dhe ekonomike në vendet respektive.
Së treti, përgjegjësia e vendeve të rajonit dhe vullneti i tyre për të punuar ngushtësisht me komunitetin ndërkombëtar me qëllim zhvillimin dhe zbatimin e strategjive të përbashkëta për stabilitetin rajonal, për t’ju përgjigjur sfidave të reja të sigurisë dhe eliminimin e shkaqeve rrënjësore, si forcimi i solidaritetit ndërkombëtar, që përfshin pjesëmarrjet në parandalimet e konflikteve, aktivitetet e menaxhimit të krizave, mbështetjen e operacioneve paqësore të ndërmarra nga organizmat e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht në kuadër të UN, NATO, OSBE, dhe institucioneve Euro-Atlantike.
Rritja e bashkëpunimit ekonomik, nëpërmjet bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh, mes rajonit dhe pjesës tjetër të Evropës, që përbën një dimension esencial të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, sigurisë dhe stabilitetit. Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e dimensionit human, demokracisë, drejtësisë dhe luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.
Struktura dhe funksionimi i SEECP
Takimi i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive, të vendeve anëtare të SEECP, mbahet një herë në vit, dhe kryesohet nga kreu i shtetit ose Qeverisë që ka kryesimin e radhës.
Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtëm, mbahet të paktën një herë në vit dhe kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme të vendit që ka kryesimin e radhës. Takimi i Komitetit të Drejtorëve Politikë, ku marrin pjesë Drejtorët Politikë të Ministrive të Punëve të Jashtme dhe kryesohet nga përfaqësuesi politik i vendit që ka kryesimin e radhës.
Trojka e cila synon vazhdimësinë e aktiviteteve të SEECP, formohet nga përfaqësuesit e Kryesisë së radhës, asaj të shkuar dhe asaj që do të pasojë. Sekretariati konstituohet nën kryesimin e vendit që mban presidencën e radhës. Vendimarrja e SEECP, bëhet me konsensus dhe çdo vit, në përfundim të takimeve të SEECP, prodhohet Deklarata Politike e SEECP.
Kryesimi i SEECP është njëvjeçar. Kryesinë e radhës të SEECP e ushtron Shqipëria për një periudhe një vjeçare, duke filluar nga muaji qershor 2014. Nevoja për forcimin organizativ të SEECP-së, me qëllim ruajtjen e zhvillimin e memories institucionale të saj, ka çuar në krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), që është krahu operacional i SEECP.
Prioritetet e kryesisë së Shqipërisë të SEECP
Gjatë Kryesisë së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Republika e Shqipërisë do të kontribuojë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis të gjithë pjesëmarrësve në këtë organizatë. Shtimi i bashkëpunimit është çelësi për tejkalimin e çështjeve madhore bilaterale dhe të brendshme, gjë që do të kontribuojë në mënyrën se si SEECP dhe pjesëmarrësit në këtë organizatë do të përballen me sfidat e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Kryesia Shqiptare e SEECP-së do të punojë ngushtë me BE-në dhe vendet anëtare në të për të mbajtur gjallë procesin e integrimit evropian për ato vende të SEECP-së që aspirojnë për tu bërë anëtarë të BE-së. Shqipëria do të mbështesë dhe zhvillojmë më tej projektet e përbashkëta rajonale, disa prej të cilave u identifikuan së fundi në Konferencën e Berlinit mbi Ballkanin Perëndimor në 28 gusht 2014.
Kryesia Shqiptare do të udhëhiqet nga parimet e mishëruara në Kartën e SEECP-së, Deklaratat e Samiteve të SEECP-së, si dhe vendimet e marra nga Ministrat e SEECP-së dhe do të ndjekë programet dhe aktivitetet e Presidencave të mëparshme duke bashkëpunuar ngushtësisht me Trojkën e SEECP-së, Sekretariatin e RCC si dhe me të gjithë vendet pjesëmarrëse të SEEC-së.