Asnjë interpelancë: si u shua kontrolli parlamentar që shndërroi deputetët në besnikë vetëm të “Pranisë Besnike” të kryeministrit

Partia Socialiste ka rrëzuar të enjten në Kuvend edhe një tjetër kërkesë për mocion me debat pas arrestimit të shefes së shërbimit sekret Vlora Hyseni. Shumica socialiste rrëzoi më pas edhe një kërkesë për interpelancë urgjente të kërkuar nga Partia Demokratike për përgjegjësitë institucionale të kryeministrit Rama në emërimin e saj.
Argumentimi i mazhorancës është i njëjtë: Kuvendi nuk mund të diskutojë çështje nën hetim nga SPAK.
Neni 80 i Kushtetutës dhe neni 96 i Rregullores së Kuvendit sanksionojnë detyrimin e kryeministrit për të dhënë llogari në interpelancë në Kuvend.
Prej fillimit të mandatit të katërt të Edi Ramës, në 11 muaj punë të Kuvendit, deputetët e opozitës kanë kërkuar të paktën 11 interpelanca me kryeministrin Rama.
Të gjitha interpelancat janë refuzuar me votë nga shumica socialiste, me përjashtim të njërës. Në një rast tjetër, kryeministri ia delegoi interpelancën ministres për Parlamentin, Erjona Ismaili.
Socialistët kanë rrëzuar edhe të gjitha kërkesat për mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama nga çështja “Aruba” në vjeshtën e shkuar te kërkesat e protestuesve të “Flamingove” në fund të qershorit.
Kuvendi ka rrëzuar edhe kërkesat për komisione hetimore, si ato për zgjedhjet, për skandalet e korrupsionit te AKSHI, rrugët, e deri te kompania shtetërore e armëve KAYO.
Roli i Kuvendit në një republikë parlamentare është ai i kontrollit mbi punën e qeverisë. Instrumenti i vetëm i opozitës është kërkimi i llogarisë përmes mekanizmave që ia njeh ligji.
Kryeministri ka vendosur t’i injorojë të gjitha këto.
Ai nuk shfaqet asnjëherë për të dhënë llogari apo përgjigje publike për përgjegjësitë politike dhe institucionale të tij apo të qeverisë.
Ai shfaqet rrallë në Kuvend, kryesisht kur nevojitet vota e tij për kalimin e ligjeve me shumicë të cilësuar.
Kjo sjellje politike e kryeministrit dhe e shumicës socialiste ka bërë që Kuvendi të mos ushtrojë më asnjë formë kontrolli parlamentar mbi qeverisjen, ka kufizuar në ekstrem rolin e opozitës dhe, në aspektin më negativ, e ka zhveshur deputetin nga statusi dhe përgjegjësia e i tij kushtetuese.
Deputetët e partisë në pushtet nuk shërbejnë më për të shqyrtuar ligjet e për të korrigjuar punën e qeverisë, por për të noterizuar çdo vendim të saj. Të gjitha ligjet që dëshiron kryeministri kalojnë thuajse pa asnjë ndryshim dhe me debate sipërfaqësore.
Diskutimi është formal, dhe ministrat e thirrur, në shumicën dërrmuese të rasteve, thjesht lavdërohen për ligjin që ka sjellë qeveria për miratim.
Në këtë aspekt, deputetët socialistë shohin si punë me interes më të lartë jo zyrën e Kuvendit, por urdhërin e kryeministrit për takime me banorët në kuadër të nismave partiake, kur kryeministri është në vështirësi përballë opinionit publik.
Ata lëshohen çdo fundjavë në bazë për t’i qëndruar besnikë direktivës nga lart për “Praninë Besnike”, dalin në foto me sekretarë në krah që mbajnë shënime për takimet e tyre me qytetarët.
Madje, në një takimi të një drejtuesi politik të një qarku të madh, sekretari që mbante shënimet në bllok ishte vetë një ministër i rëndësishëm i qeverisë.
Në fund të javës së punës, në vend që deputetët të jenë mekanizmi i parë i kontrollit ndaj qeverisë dhe kryeministrit, ata kthehen në një trupë të kontrolluar prej tij.
Kryeministri i mbledh në zyrat e partisë dhe janë ata që raportojnë përpara tij se sa qytetarë kanë dëgjuar e se sa halle kanë shënuar apo zgjidhur.
Ky element është veçse tregues i kuptimit të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve. Në republikën tonë parlamentare nuk është Kuvendi që kontrollon qeverinë, por kryeministri që kontrollon Kuvendin.
Verën e kaluar, kryeministri mblodhi të gjithë kryetarët e Bashkive dhe i urdhëroi që të shkarkonin nënkryetarët dhe stafet e ngushta të tyre duke I zhveshur ata edhe nga kompetenca më formale që kanë, të zgjedhin njerëzit me të cilët punojnë.
Arkitektura e pushtetit sot në Shqipëri tregon një kryeministër në mandatin e katërt që ka akumuluar të gjithë pushtetin pranë tij. Ai vendos jo vetëm mbi deputetët, kryetarët e bashkive, por edhe për lejet e ndërtimit dhe estetikën e tyre, planet e mëdha të zhvillimit dhe lejet për stallat e vogla të bagëtive.
Cilido person që personalizon vendimmarrjen e të gjitha pushteteve të tjera dhe injoron llogaridhënien publike mund të jetë edhe një autokrat me shije.
Por një qeverisje autokratike, edhe pse me shije, sjell gjithmonë dobësim të institucioneve, korrupsion të lartë, mungesë të alternativave politike për shkak të kufizimit që ajo i bën opozitës dhe, për rrjedhojë, rrezik të shtuar për abuzim me pushtetin.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.