⛅
Tiranë 25°C · Pjesërisht vranët 08 Tetor 2026
S&P 500 7,802 ▼0.22%
DOW 51,180 ▼0.66%
NASDAQ 27,539 ▼0.22%
NAFTA 92.55 ▲4.84%
ARI 4,147 ▲0.15%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1199 EUR/GBP 0.8474 EUR/CHF 0.9331 EUR/ALL 91.8389 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4449 EUR/TRY 55.1143 EUR/JPY 176.96 EUR/CAD 1.5963 EUR/USD 1.1199 EUR/GBP 0.8474 EUR/CHF 0.9331 EUR/ALL 91.8389 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4449 EUR/TRY 55.1143 EUR/JPY 176.96 EUR/CAD 1.5963
₿ CRYPTO
BTC $82,368 ▼ -1.4% ETH $2,534 ▼ -1.6% XRP $1.3950 ▼ -3.6% SOL $112.8200 ▼ -3.42%
S&P 500 7,802 ▼0.22 % DOW 51,180 ▼0.66 % NASDAQ 27,539 ▼0.22 % NAFTA 92.55 ▲4.84 % ARI 4,147 ▲0.15 % S&P 500 7,802 ▼0.22 % DOW 51,180 ▼0.66 % NASDAQ 27,539 ▼0.22 % NAFTA 92.55 ▲4.84 % ARI 4,147 ▲0.15 %
EUR/USD 1.1199 EUR/GBP 0.8474 EUR/CHF 0.9331 EUR/ALL 91.8389 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4449 EUR/TRY 55.1143 EUR/JPY 176.96 EUR/CAD 1.5963 EUR/USD 1.1199 EUR/GBP 0.8474 EUR/CHF 0.9331 EUR/ALL 91.8389 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4449 EUR/TRY 55.1143 EUR/JPY 176.96 EUR/CAD 1.5963
08 Tet 2026
Breaking
Opinion

Paraburgim për fajin e tjetrit

Nga Isuf Shehu – Avokat

Paraburgimi është heqje lirie para se dikush të jetë shpallur fajtor. Pikërisht për këtë arsye Kodi Procedurës Penale përcakton një afat, me mbarimin e të cilit, personi lirohet edhe nëse gjykimi vazhdon. Për këtë shkak shteti ka detyrimin, që ta përfundojë shpejt gjykimin e një njeriu brenda afatit të paraburgimit. Neni 265 i Kodit të Procedurës Penale lejon që ecja e këtij afati të ndalet kur gjykimi shtyhet për shkak të veprimeve ose kërkesave “të padrejta” të të pandehurit ose të mbrojtësit të tij, si dhe kur mosparaqitja apo largimi i mbrojtësve lë pa ndihmë një ose më shumë të pandehur. Qëllimi është legjitim dhe i njohur nga çdo sistem, shtyrjet e seancave gjyqësore nuk duhet të kthehen në mjet për ta bërë gjykimin të pamundur. Por, problemi nuk qëndron te qëllimi, por cfarë parashikon dispozita(neni 265 KPP).

Skenari që e nxjerr këtë problem në pah përsëritet në çdo gjykim me shumë të pandehur.

Madje kjo problematikë është ngritur edhe përpara Gjykatës Kushtetuese të cilës nëpërmjet kontrollit incidental të gjyqtarit të apelit iu kërkua vlerësimi i përputhshmërisë së nenit 265 KPP me nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 27 të Kushtetutës. Si përgjigje ndaj iniciativës së gjyqtarit të apelit, Gjykatës Kushtetuese me vendimin nr. 86, të marsit 2026, vendosi të mos shqyrtojë kushtetueshmërinë e nenit 265 të KPP, duke arsyetuar dhe konstatuar se gjyqtari i apelit nuk kishte shteruar përpjekjet për ta interpretuar normën në pajtim me Kushtetutën dhe Konventën dhe që duhet të vlerësonte përputhshmërinë e vendimit të shkallës së parë që kishte pezulluar afatet e paraburgimit me Kushtetutën dhe Konventën. Gjyqtari, pas rrëzimit të kërkesës së tij për kontroll incidental, shqyrtoj vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe në mënyrë paradoksale arsyetoj se vendimi i shkallës së parë ishte ne përputhje me Kushtetutën dhe Konventën.

Janë pikërisht këto inkoherenca dhe discordanca që shtyjnë në amendimin e nenit 265 KPP.

Dispozita vuan nga tri boshllëqe që nuk janë thjesht teknike. Nuk përcakton kujt i atribuohet shkaku i pezullimit, nuk përcakton ndaj kujt shtrihen pasojat e tij dhe nuk përcakton asnjë kufi kohor përtej të cilit ai nuk mund të vazhdojë. Mbi këto boshllëqe qëndron edhe një term i papërcaktuar: veprimet dhe kërkesat “të padrejta”, nocion që nuk gjendet i sqaruar askund tjetër në Kod. Kur pasoja e një norme është zgjatja e qëndrimit në paraburgim, kërkesa kushtetuese e cilësisë së ligjit nuk plotësohet me një formulim që e lë individin pa mundësi të parashikojë se cila sjellje i atribuohet dhe me çfarë pasoje. Mungesa e parashikueshmërisë lë hapësirë dhe shkak për arbitraritet.

Në mungesë të kufijve, praktika gjyqësore e ka mbushur boshllëkun e ligjit me zgjidhjen më të thjeshtë dhe më të rëndë në cënim të procesit të rregullt ligjor. Pezullimi shtrihet mbi të gjithë bashkë të pandehurit e paraburgosur, pa diferencuar se kush e shkaktoi ndërprerjen, cili qe shkaku dhe cfarë pasoje sjell në vonesën e gjykimit. Rrjedhoja është e dyfishtë, nga njëra anë, përgjegjësia procedurale bëhet kolektive, ndonëse çdo masë sigurimi caktohet individualisht dhe mbi kritere individuale. Nga ana tjetër, vetë Gjykata e Lartë ka pranuar se, nëpërmjet pezullimeve, koha reale e qëndrimit në burg mund të jetë më e gjatë se afati tërësor që ligji ka caktuar për rrjedhojë afatet e parashikuara në nenin 263 KPP nuk përbëjnë më garanci për të drejtat Kushtetuese.

Kushtetuta kërkon që çdo kufizim i lirisë të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë, dhe që gjykimi të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm. Të dyja këto kërkesa janë individuale nga natyra e tyre dhe proporcionaliteti matet në raport me pozitën konkrete të personit, jo me gjendjen e përgjithshme të gjykimit. Kur pasoja e një vonese i ngarkohet dikujt që nuk e ka shkaktuar dhe që nuk kishte asnjë mjet për ta parandaluar, lidhja mes mjetit dhe gjendjes që e dikton atë këputet. Ajo që mbetet nuk është kufizim i përpjesëtuar, por një kosto e shpërndarë mbi të gjithë ata që ndodhen në të njëjtën sallë.

Krahasimi me burimin e normës e bën të qartë natyrën e të metës, por edhe analizën strukturore.

Krahasimi me nenin 304 të KPP-së italiane nxjerr në pah atë që mungon në nenin 265 të KPP-së shqiptare. Megjithëse kanë pothuajse të njëjtin formulim, dispozita shqiptare nuk përmban dy garancitë e normës italiane. E para lejon që, brenda të njëjtit proces, afatet e paraburgimit të ecin në mënyrë të ndryshme për bashkëpandehurit: ato pezullohen për të pandehurit me të cilët lidhet shkaku i pezullimit, por vazhdojnë të ecin për bashkëpandehurin me të cilin ky shkak nuk lidhet, nëse ai kërkon ndarjen e procesit. Kasacioni italian ka sqaruar se mjafton paraqitja e kësaj kërkese, pa qenë e nevojshme që gjykata ta ndajë realisht procesin. Pra, të pandehurit mund të vazhdojnë të gjykohen bashkë, ndërsa afatet e paraburgimit të tyre ecin në mënyrë të diferencuar. Neni 265 shqiptar nuk e parashikon këtë garanci. Elementi i dytë dhe më i rëndësishëm është ekzistenca e një kufiri absolut, përtej të cilit paraburgimi nuk vazhdon, sado pezullime të jenë vendosur. Modeli italian nuk është i përsosur, por aty ligjvënësi e ka njohur problemin dhe e ka zgjidhur me tekst.

Mund të kundërshtohet se edhe Kodi ynë e njeh ndarjen e çështjeve si rrugëdalje. E njeh, por jo për këtë situatë. Rastet e ndarjes janë të numëruara dhe asnjëri prej tyre nuk përfshin të pandehurin e pranishëm, të mbrojtur dhe pa faj për shtyrjen. Një garanci që varet nga një vendim diskrecional të cilin i interesuari nuk ka të drejtë ta kërkojë nuk është garanci, por mundësi.

Këto janë arsyet përse, amendimi i nenit 265 KPP është i nevojshëm.

Projektligji i prezantuar më 30 Shtator 2026 e rishkruan nenin 263, dispozitën që cakton afatet e paraburgimit, dhe e lë të paprekur nenin 265, dispozitën që i pezullon ato. Të dyja normat nuk janë të pavarura nga njëra-tjetra. Neni 263 përcakton kufirin, ndërsa neni 265 përcakton kur ai kufi nuk ecën. Vetë Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 86/2026, e ka cilësuar këtë raport si lidhje funksionale, duke vërejtur se pezullimi vepron pikërisht mbi afatet e caktuara nga neni 263 dhe se periudha e pezullimit nuk përfshihet në to. Kjo do të thotë se çdo rregullim i afateve prek vetëm gjysmën e problemit, për sa kohë mekanizmi që i ndal mbetet pa kufij dhe pa adresim personal.

Pasoja është e matshme. Një afat i rishikuar në nenin 263 mund të neutralizohet nga një varg pezullimesh sipas nenit 265, pa u tejkaluar asgjë në letër, siç e ka pranuar vetë Gjykata e Lartë. Po ashtu, duke parashikuar se për arrestin në shtëpi vlejnë rregullat e paraburgimit dhe duke e përfshirë atë në nenin 263, projektligji ia shtrin pezullimin edhe një mase më të lehtë, pa e vlerësuar kurrë. Prandaj amendimi i nenit 265 nuk është shtesë e dëshirueshme, por kusht i koherencës së reformës: një ligj që i rendit afatet dhe njëkohësisht lejon ndaljen e tyre pa kufi dhe pa faj personal nuk e ndryshon rezultatin, por vetëm pamjen e tij. Nenet 263 dhe 265 duhet të ndryshohen bashkë.

Vendimi nr. 86/2026 tregon pse zgjidhja i takon ligjvënësit. Ai u njeh gjykatave hapësirë interpretimi, dhe kjo duhet shfrytëzuar: pezullimi duhet vendosur me vendim të arsyetuar, që tregon kush e shkaktoi shtyrjen dhe pse pasoja duhet ta prekë një të pandehur tjetër. Por një praktikë e tillë do të ndërtohej kundër një jurisprudence të konsoliduar në drejtim të kundërt dhe do të mbetej e pasigurt nga një trup gjykues te tjetri. Liria personale nuk mund të varet nga larmishmëria e interpretimeve të gjyqtarëve, kur zgjidhja kërkon vetëm disa fjali në tekst.

Ndërhyrja e nevojshme është e kufizuar. Së pari, pezullimi duhet të prodhojë pasoja vetëm ndaj të pandehurit që e ka shkaktuar ose mbrojtësi i të cilit mungon, dhe vendimi duhet ta identifikojë shprehimisht shkakun dhe personin të cilit i atribuohet. Së dyti, bashkëpandehurit që nuk lidhet me shkakun duhet t’i njihet e drejta të kërkojë gjykim të veçantë(ndarjen e procedimit), dhe vetë kërkesa duhet të mjaftojë për të përjashtuar pasojat ndaj tij. Së treti, duhet vendosur një kufi i sipërm, i shprehur si shumëfish i afateve të fazës, përtej të cilit asnjë pezullim nuk e zgjat më paraburgimin. Së katërti, nocioni i kërkesës “të padrejtë” duhet përcaktuar dhe të përjashtojë kohën që kërkon ushtrimi real i mbrojtjes, sepse mbrojtja, nga vetë natyra e saj, kërkon kohë.

Do të thuhet se kështu i hapet rruga zvarritjes. Përgjigjja është se rregulli i propozuar e ngarkon me pasojë pikërisht atë që e zvarrit dhe e çliron atë që nuk ka faj, ndërsa disiplinimi i procesit ka mjetet e veta, nga zëvendësimi i mbrojtësit te përgjegjësia e tij. Vetëm kufiri i sipërm i kushton diçka Prokurorit, dhe duhet t’i kushtojë, sepse është Prokurori ai që e mban një njeri të burgosur ndërsa e gjykon. Në një shtet të së drejtës nuk mund të ketë përgjegjësi procedurale solidare.

Gjykata Kushtetuese ia ktheu pyetjen gjyqtarit. Kuvendi ende ka kohë t’i përgjigjet vetë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.