Kryeartikull

Asnjë protestë për… bixhozin!

U mbyllën edhe dyqanet e fundit të bixhozit. Nuk mbeti më loto në këmbë, anë e mbanë atdheut. Ishin pesë mijë e më shumë të tilla, por nuk janë më. Lokalet e tyre llamburitëse nga dritat e shumta, tani ngjajnë me shpella të errëta. Ligji për mbylljen e lojërave të fatit u zbatua pikë për pikë. Në lagjen time, me shumë të tilla, u shitën ekranet e mëdhenj “plazma” të televizorëve për një copë bukë. E kështu edhe gjetkë. Qeveria nuk kishte parashikuar një bindje të tillë totale të popullit për një problem kaq të rëndësishëm. As opozita, që organizon protesta për çdo gjë, nuk bëri zë për mbylljen e tyre. As nga kompanitë e basteve nuk pati protesta, për rreth pesëqind milionë euro xhiro në vit të humbura nga mbyllja. Nuk pati vajtime me ligje: “Si do bëjmë more shokë, si do bëjmë ne nashti, pa loto!” Nuk pati as ankime në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut prej tyre, siç kishin deklaruar etj., etj..

Ky ligj gjeti zbatim si asnjë tjetër në Shqipëri, madje para se të vinte dita e mbylljes. Nuk ishte parë ndonjëherë ndonjë konsensus i tillë kombëtar ndaj ligjit. Mesa duket, lojtarët ishin të lodhur nga… xhepi. Lotoxhinjtë ishin të rraskapitur nga humbjet legjendare të betejave shumëvjeçare, ndaj e dorëzuan kokën në tepsi të argjendtë para ligjit.

Në këto rrethana, të këtij suksesi të jashtëzakonshëm mbarëkombëtar, pritej që Kryeministri të dilte e të deklaronte me bujë të madhe këtë “fitore” madhështore të ekipit të tij qeverisës në sikterisjen e kumarit. Por, ashtu si u mbyllën ato, pa hedhur asnjë “pushkë”, pa asnjë betejë, pa asnjë pikë lavdie, nuk ia vlen as qeverisë të merret me të tilla “suksese”. Zëre se nuk kanë ekzistuar kurrë lotot te ne. Të shkuara, të harruara. Nuk i duam edhe ato pesë lekë (pesëdhjetë milionë euro) që vileshin nga taksat e lotove nga qeveria çdo vit.

Unë nuk jam marrë kurrë me loto. Nuk kam harxhuar asnjëherë asnjë qindarkë për to. Shkoja te lokalet e lotove për të parë ndeshjet e Champions Ligue, se nuk na del llogaria të blejmë të gjitha paketat e sportit në shtëpi. Kështu, kur afrohej ora nëntë e mbrëmjes, vishesha dhe dilja nga shtëpia, ashtu, si fshehurazi gruas. Por ajo më pikaste dhe zinte e bërtiste:

– Ku vete ti në këtë orë?
– Ja këtu, te kafeneje poshtë pallatit, për të parë ndeshjen, – i përgjigjesha. – Vij shpejt, mos u bëj merak.
– A s’të vjen turp? – ma kthente. – Të di bota sikur kushedi se ç’je. Po ti je njëlloj si ata. Atje mblidhen tërë rrugaçët e lagjes – thoshte, duke ngritur gjithnjë e më shumë zërin.
– Jo, i përgjigjesha. – Nuk janë rrugaçë.
Janë njerëz seriozë, si puna ime. Dhe vërtetë, ashtu dukeshin. Ajo vazhdonte me të sharat, ndërsa unë zbrisja ngadalë shkallëve të pallatit. Luan “Juve”, jo shaka.

Po pse e kishte gruaja këtë inat me ata që shkonin te lokali i lotos? Ajo e dinte që unë nuk vija baste. Por ajo kishte kaluar një herë aty pranë dhe kishte dëgjuar të shara e ulërima “me libër shtëpie” aty brenda. Atje i ishte mbushur mendja që ata ishin vërtetë rrugaçë e të marrë. Vonë e kuptova të vërtetën. Fillimisht, mendoja se ata bënin kështu, ngaqë ishin tifozë të thekur të këtij apo atij ekipi. Por jo. Ata vinin baste për ndeshjen dhe, kur një lojtar humbiste rastin për golin e shumëpritur që do t’i sillte fitime “kash” bastexhiut, atëherë ky shpërthente në të shara. Dhe meqë tifozët janë me ekipe të ndryshme, sharjet ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes në këto lokale.

Unë rrija i qetë në tavolinën time pa u ndier, (aq sa mund të jesh i qetë në një situatë të tillë) se nuk kisha punë me bastet. Atëherë vinte përgjegjësi i lokalit dhe më pyeste me inat:

– Ç’o marrëç ti? – Ai e kishte inatin për atë, pse unë nuk kisha blerë skedinë për bastet. Gati sa nuk më thoshte: “Dil përjashta! Ç’kërkon ti këtu!”

– Një kafe – i përgjigjesha shkurt. Dhe kështu, e kaloja situatën pa shumë dramë.

Duke parë këta burra nervozë te lokalet e lotove, mendoja se sa e vështirë do të ishte mbyllja e tyre, ç’do hiqte qeveria në zbatimin e atij ligji etj., etj.. Por jo, nuk pati përplasje, as zhurmë, as protesta, as greva urie, megjithëse ishim pikërisht në valën e grevave dhe protestave të njohura të fundvitit. Lojtarët e lotove ishin të lodhur nga vitet e shumta të humbjeve ne to. Pra, lamtumirë loto!

Por, jo, nuk është aq e thjeshtë. Njeriu e gjen mënyrën për të shkuar te vesi. Kumari ka njëmijë forma. Një shoku im më tregonte një ditë se në kohën e regjimit të kaluar, dy vetë niseshin me makinë nga Tirana për në Shkodër, gjoja për punë të shtetit dhe, gjatë gjithë rrugës vajtje e kthim, luanin bixhoz me para në makinë, që të mos i shikonin të tjerët. Dhe atëherë shkoje në burg për këto gjëra. Por as burgu nuk e ndalonte dot.

Edhe tani nuk do të ndalojë plotësisht. Do ketë të tillë mendje të sëmura që do gjejnë forma të tjera sa të duash për të luajtur (nga mendtë). Se këta bixhozçinjtë, nuk pyesin as për fenë, që e mallkon bixhozin, as për din e iman. Ushtritë e kumarxhinjve janë duke lëpirë plagët nga goditja e ligjit dhe nga humbjet e xhepit për të filluar përsëri betejat e tyre humbëse.

Në botë, bixhozi është i përhapur e në lulëzim. Reklamat e lotove janë nëpër të gjitha ndeshjet e futbollit që ne i shikojmë përditë në televizor. Kjo trysni do të jetë edhe mbi vendin tonë. Por, megjithatë, u bë mirë që u ndaluan, se ishin kthyer në një mortje për familjet, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Le të bëjmë festën e Vitit të Ri të qetë prej tyre (se tani nuk ka as shumë ndeshje sporti). Paret e lotove le t’i shpenzojmë për të blerë gjela deti për festën. Pastaj, shohim e bëjmë, ka perëndia. Vit i ri, kismet i ri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button