Kronika

Atentati ndaj Santos, reagojnë krerët e shtetit dhe politika shqiptare

Artan-SantoTë gjithë krerët e shtetit shqiptar dhe politika; në mazhorancë dhe opozitë ka reaguar në lidhje me vrasjen e bankierit dhe biznesmenit të njohur, Artan Santo, të enjten në mëngjes në Tiranë.

Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një postim në faqen zyrtare në Facebook thekson se “Mësova me tronditje të madhe, lajmin e rëndë për vrasjen e biznesmenit të njohur, Artan Santo. Një humbje e pamasë për familjarët, miqtë, bashkpunëtorët, por dhe gjithë shoqërinë tonë.

Kjo ngjarje e rëndë e shkaktuar nga dora e zezë e krimit, nuk duhet lënë pa u ndëshkuar. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të marrin masat për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, dhe të dërgojnë para drejtësisë autorët e saj. Ngushëlloj nga zemra dhe u qëndroj pranë bashkëshortes dhe fëmijëve të Artanit. U prehsh në paqe, miku ynë”.

Rama

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë.  “Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tirone nga ata të vërtetët, që donte jetën, e donte njerëzit”, shkruan Rama në faqen e tij zyrtare në Facebook. Kryeministri gjithashtu thekson se për cilindo person që ndihmon policinë duke dhënë informacion të vlefshëm për kapjen vrasësve të Artan Santos do të shpërblehet me 100 mijë euro nga Policia e Tiranës. Më pas kreu i qeverisë, në një postim të mëvonshëm pas reagimeve politike thekson se “Të bësh politikë edhe me krimin e sotëm do të thotë të jesh një opozitë që ushqehesh jo nga aspiratat, as nga idetë, po nga krimet e pislleku!”.

Meta

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu sot ngushëëllimet për vrasjen e bankierit Artan Santo, ndërsa kërkoi ndëshkimin e autorëve të këtij krimi mizor. “Do doja t’i bashkohesha kolegut Blushi në dënimin e vrasjes së një personaliteti të shquar të sistemit tonë bankar, drejtorit të bankës Credins, Artan Santo. Kërkoj ndëshkimin e autorëve të këtij krimi mizor dhe i shpreh ngushëllimet familjes dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Shprehim mbështetjen tonë me te potë për policine e shtetit për gjetjen e autoëve të këtij akti makabër”, u shpreh kryeparlamentari Meta në përfundm të seancës së sotme plenare.

 Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur të enjten në faqen e tij Facebook për vrasjen e biznesmenit Artan Santo, duke e konsideruar një vrasje të tipit mafioz dhe një rrezik të madh për jetën e qytetarëve.

“Dhimbje dhe tronditje pertej fjaleve për vrasjen mizore të Tan Santos. Ky krim i pashembullt mafioz është një alarm i madh qytetar për të gjithë. Ngushëllime dhe solidarizim me familjen dhe miqtë e tij të shumtë” , është shprehur Basha.

Më herët, deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, e konsideroi një ekzekutim mafioz vrasjen e biznesmenit dhe se krimi tregon që ka arritur në ato nivele dhe atë kurajo që të marrë jetën e një biznesmeni, pa iu dridhur dora gjakatare në mes të ditës, duke bërë të pasigurtë jetën e shqiptareve.

Cani

“Një lajm tronditës. Një akt kriminal i tipit mafioz “, e ka cilësuar ministri i Financave, Shkëlqim Cani, vrasjen e bankierit  Artan Santo këtë të entje. “Ditën jemi mësuar ta fillojmë me lajme të mira. Por kjo e sotmja i kalon kufijtë e një keqardhje. Një lajm tronditës. Një akt kriminal i tipit mafioz. Artan Santo u largua nga ne në mënyrë të pamerituar. Miku dhe shoku kombinatas, shumë vite së bashku. Kujtimet e mira nuk mund t’i fshijë ky akt mafioz. Ndjehem keq. Humba një shok, një mik. Ngushëllime familjes!”, deklaroi Cani.

Blushi

Në seancën e sotme parlamentare, deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka ngushëlluar nga foltorja e Kuvendit familjen e biznesmenit Artan Santo. Ai e cilësoi vrasjen goditje për sistemin financiar bankar. Blushi i kërkoi qeverisë të bëjë gjithçka për të kapur autorët dhe të marrë në mbrojtje sistemin bankar.

“Jam i tronditur nga vrasja e biznesmenit Artan Santo. Sistemi jonë financiar bankar është goditur. Qeveria të bëjë gjithçka për të kapur autorët. Ngushëlloj familjarët e zotit Santo, fëmijët, bashkëshorten, miqtë dhe kolegët. Ti shkohet deri në fund ngjarjes mafioze,”- u shpreh Blushi.

Topi

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi. ka shprehur keqardhje të thellë për vrasjen mizore të biznesmenit Artan Santo dhe u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tij.

“Dhimbje e dëshpërim për humbjen e një miku. Santo personalitet i botës financiare. Vrasja e Santos, sinjal i fortë i krimit që nuk njeh stepje”- deklaron ish-presidenti Topi.

Topi u bën apel autoriteteve që të bëjnë gjithçka për zbulimin e autorëve dhe shkaqeve të vrasjes mafioze të biznesmenit Artan Santo.

Related Articles

Back to top button