Audiopërgjimi, Rama: Dikush duhet të mbajë përgjegjësi kur të dalë e vërteta
- Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive për abc news direkt nga Gjirokastra, ku u pyet lidhur me këtë audiopërgjim.
Sipas Ramës, faji nuk mund të mbetet jetim dhe hetimi do të provojë kush ka të drejtë dhe kush nuk ka të drejtë dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
“Unë besoj shumë që fokusi i Ministrit dhe goditjet e Policisë janë shenja të qarta, ashtu si dhe rezultatet e arritura në luftën ndaj drogës dhe segmente të tjera ato që e kanë kthyer ministrin në një shënjestër. Për fat të keq kthimi i syve nga ministri është një përpjekje e opozitës për të minuar rrugën e çeljes së negocitave në metrat e fundit dhe për të krijuar situata që janë vështirësisht të shpjegueshme në korridoret, ku janë deputetë apo grupe të huajsh që janë kundër zgjerimit të BE dhe vetëvetiu edhe kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë. Kjo është pjesa më e keqe e historisë”, – tha Rama.
“Së pari, në pozicionin e kryeministrit s’mund të bëj vlerësime të bazuara në pretendime, por mbi fakte. Unë gjykoj punën dhe rezultatet. Kur unë kam bërë zgjedhjen e Fatmir Xhafës si ministër i Brendshëm, këtë fakt e kam ditur unë dhe opozita dhe ajo pjesë e Shqipërisë e vëmendshme ndaj lajmeve dhe zhvillimeve historike. Këtu s’ka lajm sekret apo zbulim. Kam kërkuar ekspertizën e audiopërgjimit, nga një agjenci ndërkombëtare e specializuar për të ditur të vërtetën e këtij audiopërgjimi, pasi nëse do kishte prova të vërteta që lidhin aktivitetin e vëllait të ministrit me trafikun e drogës, jo se ministri do kishte shkelur ligjin, por nga ana morale është e pakonceptueshme që një ministër të rrijë ministër dhe vëllai të jetë i përfshirë. Gjithmonë duke folur moralisht”, – tha Rama.
Lidhur me akuzat e opozitës, Kryeministri u shpreh se pret me durim dhe qetësi përfundimin e hetimit të Prokurorisë. “Nëse do nisemi nga zërat e opozitës, pasurimin më të madh të paligjshëm e kam unë, por kjo s’mund të jetë një arsye që njerëzit të më vënë në pikëpyetje. Unë e di se ç’kam dhe çfarë jam. Për sa i përket vlerësimeve institucionale, këtë e bëjnë insitucionet e pavarura, të cilat duhet të bëjnë vlerësim të pavarur dhe për këtë rast do pres me shumë durim dhe pse durimi ka një të veçantë për këtë rast, pasi kur sheh se kjo e vërtetë po transformohet duke helmuar gjak njerëzish, është vështirë të durosh. Por gjithësesi unë do pres Prokurorinë. Unë të vërtetën e di dhe kjo e vërtetë vlen për dijeninë time dhe nuk ka vlerë ligjore apo për argument për publikun. Kështu që Prokuroria të hetojë në çdo laborator shkencor ndërkombëtar për të marrë përgjigje të saktë mbi këtë audiopërgjim dhe të dalë e vërteta në pah”, – vijoi Kryeministri.
“Por ama duhet të kemi parasysh mirë, që nëse nxjerr faktin se audiopërgjimi është i vërtetë pozicioni im duhet të vlerësohet dhe nëse nxjerr me mbështetje shkencore se është manipuluar, atëherë këtu kemi të bëjmë me veprimtari të strukturuar kriminale. Nëse kjo provohet, shtoi Rama, do të shikohet se këtu janë të implikuara struktura. Ajo që karakterizon përballjen mes një force pozitive kundër mafies, kundër krimit të organizuar është balta që hidhet mbi këtë forcë. Në raste të ndryshme, në forma të ndryshme dhe nga kënde të ndryshme për të folur ekzaktësisht të kundërtën e asaj që bënë vetë. Ne akuzohemi si kanabizuesit, ne kemi luftuar kunër kanabisit të kultivuar këtu e 20 vite më parë, dhe ne akuzohemi për këtë, kjo është skema”, – tha Rama.
Rama tha se sulmi ndaj Xhafajt, është këmbëngulje e opozitës për dështimin e negociatave. “Nuk kemi zbulim në këtë histori. Edhe opozita dhe mediat e kanë nxjerrë në pah më shumë se një herë në të shkuarën dhe faktin se kjo histori kthehet në formën e një zbulimi të ri, shpjegon atë që thashë: Këmbënguljen e opozitës për dështimin e negociatave. Po ashtu kjo është dëshmi e mungesës së vizionit dhe çoroditjes së opozitës, që kapet pas fijes së barit për të krijuar situata për të marrë një avantazh real që nuk e ka. Jetojmë në një sistem që që pas moshës 18-vjeçare gjithëkush varet nga këmbët e veta dhe jo nga vëllai apo të tjerë. Kush e ka parë nga jashtë Shqipërisë këtë, nga ata që shohin çështjen e negociatave thonë që s’mund të implikohet fakti që një ministër ka një vëlla, qoftë ky i dënuar”, – tha Rama.
Verifikimi i audiopërgjimit, matematikisht i sigurt
Duke folur për audiopërgjimin, Kryeministri theksoi se “… çfarëdo detaji të jap, nuk përbën argument të plotë për këdo që ka dyshime”.
Në Vlorë, tha Rama, “dëshmitari X” njihet dhe nuk ka asnjë të panjohur për Vlorën. “Njerëzit janë të habitur se si një personazh kaq i marrë fund në rrugët e qytetit, të kthehet në hero mediatik. Ka njerëz që e kuptojnë që ka një farsë, ka që dëshirojnë të jetë një farsë, ka që e njohin dëshimtarin X, por ka edhe njerëz të ndershëm që nuk janë as të partisë dhe as në dijeni të kësaj historie dhe dyshojnë”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “… nuk intimidon Prokurorinë, pasi nuk bëhet fjalë për një qëndrim apo opinion, por për një gjë që është matematikisht e sigurt”.
“Prokuroria t’i drejtohet cilitdo laborator ndërkombëtar dhe të marri përgjigjen. Është thjesht çështje teknike. Ky është gjykimi im i bazuar te verifikimi që unë kam bërë. Askush të mos më besojë, por le të presim rezultatin nga një agjenci e specializuar ndërkombëtare”, – shtoi Rama.
Kryeministri kërkoi që Prokuroria t’i shkojë kësaj historie deri në fund dhe njerëzit do të shikojnë diçka shumë tronditëse. Këtu janë të përfshirë struktura, tha Rama.
Mbyllja në kohë të arsyeshme e hetimit për audiopërgjimin, shumë e rëndësishme
Kryeministri u shpreh se pret me padurim përfundimin e hetimit nga prokuroria. “Meraku im nuk është te çështja, pasi çështja do të zbardhet dhe fajtorët do të dalin. Faji nuk do të mbetet jetim”, – tha Rama.
Por, sipas tij, “… mbyllja në kohë të arsyeshme e kësaj çështje është shumë e rëndësishme për procesin ku jemi”.
“Unë po bëj përpjekje që janë për t’u shkruar në libër, për të bindur ata që janë hezitues, që në fakt janë dashamirës ndaj Shqipërisë. Por brenda partive të tyre ka njerëz që mezi presin të përfitojnë nga këto gjëra. Ndaj është shumë e rëndësishme nga pikëpamja e Prokurorisë mbyllja e hetimit”, – shtoi Rama.
613 kg kokainë të kapura në Gjermani, njerëz të opozitës të përfshirë
Hetimi për kapjen e 613 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit kanë çuar në dyshime të arsyeshme se ka një lidhje me acarimin e opozitës, pasi në të ka dyshime të arsyeshme se është e lidhur me rangje të larta në PD.
Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive, duke iu referuar hetimit për çështjen e kokainës të kapur në Durrës tha se, acarimi i opozitës është i justifikuar.
“Procesi i hetimit ka hyrë në një fazë të re, me arrestimin e personit që deri tani ishte identifikuar si koka e trafikut dhe nga krahu tjetër, të dhënat që unë disponoj në rrugë operative janë të mjaftueshme se përse është ky acarim i opozitës. Ka dyshime shumë të arsyeshme që të çojnë drejt njerëzisht shumë të lidhur me rangje të larta të PD. Ka informacione që të lindin dyshimin e arsyeshëm, pastaj hetimi do prova për ta faktuar këtë ose do ta hedhë poshtë”, – vijoi Rama.
“Nuk mendoj se në Shqipëri ka mafie… sigurisht në Shqipëri ka njerëz që mund të kenë lidhje, dhe në rastin e kokainës mundësia është e lartë dhe lidhen me pushtetin e dikurshëm dhe opozitën e sotme. Unë nuk jam si kundërshtarët e mi, që kanë një kulturë shpifje dhe që bëjnë një akuzë të drejtpërdrejtë tek një person. Por di të them se në rastin e kokainës, ka dyshime të arsyeshme që të çojnë shumë lart te pushteti i kaluar, opozita e sotme”, – shtoi Rama.
Audiopërgjimi, Rama: Bomba si këto janë qesharake, rrezikojmë të humbim opozitën
Kryeministri Edi Rama duke folur për audiopërgjimin e publikuar nga PD, tha se nëse këto janë bomba, atëherë rrezikojmë të humbin opozitën, për atë çka e njohim sot opozitën.
“Në asnjë vend të botës përgjimet nuk merren me seriozitetin që merren këtu. Nuk janë asnjëherë provë. Por çdo rast vlerësohet specifikisht. Ajo që për mua ka rëndësi dhe për të cilën jetoj dhe punoj në këtë fazë është vendimi i Këshillit të Europës për çeljen e negociatave.
Nëse bombat do të jetë si kjo ‘bomba’ e ‘babales’, do të përfundojmë pa opozitë, jo si kjo që kemi sot, ku kur shkon në Kuvend s’ke përballë një argument apo alternativë, por gjen një grup personash që angazhimin e kanë fizik. Jemi në kushtet e një gjendje qesharake. Një opozitë që nuk vjen në Kuvend si angazhim i duhur javor i argumentit, por si angazhim fizik… Kjo është drama. Por nëse bombat janë si kjo, jo vetëm që s’do kemi më PD si e njohim sot, por do kemi një situatë dramatike në PD dhe opozitë”, – tha Rama.
Një parti politike mban përgjegjësi për mënyrën si reagon
Kryeministri Rama iu përgjigj edhe interesit nëse duhej të largohej ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, deri në zbardhjen e kësaj çështje.
Sipas Ramës, “… në një familje, në një parti politike, në një qeveri, organizatë, shoqëri apo komunitet, askush nuk mban përgjegjësi për faktin që një anëtar i familjes mund të bëjë një mëkat apo të shkelë ligjin”.
Sipas tij, një parti politike apo qeveri mban përgjegjësi për mënyrën se si reagon. “E rëndësishme është si reagon. Ka akuza që bëhen nga drejtësia, që ka një reagim të qartë si në rastin e Tahirit, duke ia lënë drejtësisë ta thotë të vërtetën. Por nuk veprohet kështu kur akuzat vijnë nga burime të tjera, që nuk kanë asnjë lloj kredibiliteti për të gjykuar njerëzit, pasi për gjithkënd mund të lëshohen akuza. Jam eksperiment i gjallë i të gjitha akuzave të ndryshme që janë bërë. Në rast se do të nisemi nga akuzat, nuk do të isha këtu”, – tha Rama.
Sipas tij, ka akuza të medias, segmenteve të caktuara apo ka insinuata dhe në raport me këto, që nuk janë akuza të drejtësisë, ka një gjykim që bazohet në radhë të parë në faktin që personi i akuzuar, të mos jetë i lidhur me akuzat që i bëhen.
Në Shqipëri, vijoi Rama, ka një kulturë akuzash që vjen nga koha e vjetër ku kundërshtari nuk trajtohet si oponent, por si armik që duhet baltosur.
Negociatat çështje jetë a vdekje, ndarje mes të ardhmes e të shkuarës
Gjatë intervistër kryeminsitri Edi Rama theksoi se negociatat me BE janë çështje jetë a vdekje. Sipas kryeministrit Rama, nëse Shqipëria do të pranohet në BE, do të jetë falë rezultateve të punës dhe reformave.
Është çështje e të shkuarës me të ardhmen. E para është vdekje, tjetra është jetë. Dhe çelja e negociatave është ndarje, pasi në atë moment je në një moment pa kthim, ku herët a vonë do realizosh integrimin e plotë ne BE. Nëse na pranojnë do na pranojnë vetëm si rezultat i punës së mirë të bërë dhe sakrificave që kemi treguar. Nëse e konsiderojnë këtë kërkesë për çelje negociatave do ishte vetëm për punën tonë. Macron ishte i bindur në filozofinë e tij për tu reformuar më parë Europa. Ky është debat dhe betej mes meje dhe atij. Një debat konceptual dhe është kënaqësi e madhe ta realizosh me atë, që është një intelektual i nivelit të lartë.