Ekonomia

Auditimi, gjoba deri 500 mijë lekë

Nëse kontabilistët nuk kryejnë në mënyrë të duhur auditin ata mund të marrin penalitet të rëndë. Këtë e përcakton projekti më u fundit i qeverisë, e cila ka dërguar në Kuvend një projekt ligj mbi auditimin dhe mbikëqyrjen e profesionit të kontabilistëve. Sipas këtij projektligji ndryshimet e parashikuara do të bëjnë të mundur rritjen e cilësisë dhe përgjegjshmërisë së audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, duke përmirësuar procesin e certifikimit, mbikëqyrjes së cilësisë dhe forcimin e qartësimin e shkeljeve dhe masave disiplinore. Ndryshimi kryesor i tij ka të bëjë me rishikimin e statusit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, nëpërmjet krijimit të një strukture mbështetëse teknike. Ligji gjithashtu rregullon auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe të konsoliduara, organizimin e profesionit të audituesit ligjor, të shoqërive të auditimit, të kontabilistit të miratuar, si dhe rregullimin e organizatave profesionale në fushën e kontabilitetit.

Penalitetet për kontabilistët

– Gjoba nga 50 000 -150 000 lekë, merret në rastet kur audituesi ligjor ka bërë kërkesë për çregjistrim, me arsyen e fillimit të një veprimtarie të re, dhe e ka nisur veprimtarinë e re, që u sjell dëm interesave etike e morale të profesionit, përpara marrjes së vendimit nga Komiteti i Regjistrimit.

– Gjoba, në masën 100 000 – 500 000 lekë, merret në rast se, në përfundim të procesit të kontrollit të cilësisë, rezulton që puna audituese nuk është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe me kërkesat e këtij ligji e akteve nënligjore.

– Gjoba, në masën 50 000 – 150 000 lekë, merret në rastin e mosdhënies së informacionit apo dokumentacionit të kërkuar nga autoritetet përgjegjëse, në kuadër të procesit të kontrollit të cilësisë.

– Gjoba, në masën 100 000 – 500 000 lekë, merret në rast të mosndjekjes së rregullave dhe procedurave të auditimit, si rrjedhojë e një opinioni të mangët ose të gabuar për pasqyrat financiare subjekt auditimi.

– Gjoba, në masën 50 000 – 150 000 lekë, merret në rast se nuk respektohen kërkesat e parashikuara nga neni 34, i këtij ligji, për mbrojtjen e konfidencialitetit.

– Gjoba, në masën 50 000 – 100 000 lekë, merret në rastin kur informacionet vjetore statutore, të paraqitura pranë organizatës profesionale të audituesve ligjorë, përmbajnë informacion të pavërtetë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button