Bota

AUSTRI – Kurz jep dorëheqjen: Vendi im më i rëndësishëm se unë

Kancelari austriak, Sebastian Kurz jep dorëheqjen mes akuzave për korrupsion, konfirmoi ai vetë dje pasditë vonë. Ai ka sugjeruar Ministrin e Jashtëm, Alexander Schallenberg, si zëvendësuesin e tij.

Ky veprim vjen pasi prokurorët austriakë e quajtën politikanin konservator si të dyshuar në një rast korrupsioni që përfshin përdorimin e fondeve publike për të paguar për mbulimin pozitiv të mediave.

“Vendi im është më i rëndësishëm për mua sesa unë”, tha Kurz.

Unë do të mbrohem nga akuzat e rreme dhe pikërisht sepse janë të rreme më japin forcën për të mbrojtur veten dhe për të ecur përpara, deklaroi kancelari austriak Sebastian Kurz për median.

“Është e drejtë që drejtësia të hetojë këdo, por prezumimi i pafajësisë, të paktën deri dje, është një shtyllë e demokracisë sonë”, shtoi Kurz.

“OEVP do të përpiqet të sigurojë stabilitet në vend. Deri tani ne kemi qeverisur mirë me të gjelbrit, edhe gjatë pandemisë, por nëse ata tani besojnë se duan të kërkojnë një shumicë të re, ata janë të lirë”, shtoi ai.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, objektivi i një hetimi për korrupsion, dyshohet se ka përdorur fondet e qeverisë për të siguruar mbulim të favorshëm nga media.

“Sebastian Kurz dhe nëntë të dyshuar të tjerë, si edhe tri organizata, po hetohen për vepra të ndryshme që lidhen me këtë rast”, tha prokuroria austriake në një deklaratë.

Sipas medieve austriake, nën shënjestër janë ambientet e Ministrisë së Financave si dhe Kancelaria.

“Midis 2016 dhe 2018, burime nga ministria u përdorën për të financuar sondazhe të opinionit, pjesërisht të manipuluara, që i shërbenin një interesi politik ekskluzivisht partiak”, shpjegoi prokuroria.

Në atë kohë, Kurz nuk ishte ende kancelar, por merrte pjesë në qeveri.

35-vjeçari u bë udhëheqës i ÖVP-së në maj të vitit 2017, dhe e çoi partinë e tij drejt fitores në zgjedhjet që u mbajtën më vonë atë vit, duke u bërë, në moshën 31-vjeçare, njëri nga krerët më të ri qeveritar në botë i zgjedhur ndonjëherë në mënyrë demokratike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button