Autonomia vendore, Basha: Harta Rama-Meta, kompromis i pastër politik
Partia Demokratike ka mbledhur sot tryezën për autonominë vendore. Para kryetarëve të Komunave dhe Bashkive të vendit, Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta për bërjen e një harte të re territoriale, si kompromis politik.
Basha tha se nuk synua të silleshin me këtë hartë ndryshime që ndikojnë në përmirësimin e qeverisje vendore për shërbime më të mira ndaj qytetarëve, ndërsa diskutimin e saj në kuvend e quajti “sofër të pistë”. Ai kërkoi zgjerim të kompetencave të vendorëve.
“I rëndësishëm është përfaqësimi i qytetarëve tek vendorët. Prej 23 vitesh, nga 1992 në Shqipëri janë adoptuar praktika që kanë bërë të mundur që pushteti vendor në Shqipëri në radhë të parë të bëhet praktik, së dyti që këta të zgjedhur të mos kishin vetëm çelësat e kashtës por edhe kompetencat e përgjegjësitë për të ndihmuar qytetarët. Ndryshime që më vonë pas paketës së 2000 dhe veçanërisht pas vitit 2005 sollën zgjerim të kompetencave, ndonëse mundësitë mbetën të kufizuara. Marrim shembullin e Tiranës, ku 45% e të ardhurave të buxhetit të shtetit vjen nga ky qytet, por qeveria jep 1.8% të buxhetit. A do ti japim kompetencat këtij përfaqësuesi ta zgjidhë atë problem dhe a do ti japim mundësitë për të zgjidhur problemet. Këto janë dilemat dhe s’ka të bëjë me diferencat politike, por se si do të funksionojë pushteti vendor pas 21 qershorit”, tha Basha.
Ai tha se PD-ja nuk pranoi të ulej në tryezë për të diskutuar me maxhorancën mbi ndarjen e re territoriale pasi nuk u morën parasysh kërkesat e opozitës.
“Çështja e hartës, pozicionet janë të qarta. Kërkuam të kishim së pari një koncept decentralizimi, si ndikon tek qytetarët. Si do planifikojmë më qartë dhe më shumë që të mos i bëjmë nga një rrugë në vit lagjes, por ti vijmë në ndihmë duke bërë një bllok të tërë banimi. Si do kemi mundësinë të rregullojmë parimet bazë të llogaridhënies ndaj tyre? Të gjitha këto pyetje mbetën pa përgjigje se njëra palë në debat e kishte mendjen vetëm tek harta dhe sot vetëm hartën e mysybetit kemi, që përfundoi si kompromis mes Ramës dhe Metës, kompromis i pastër politik. Kompromis për të emëruar kandidatët dhe që të kenë zona sa më të përshtatshme për emërimet e tyre. Dhe kur e panë që ngeci na thirrën në këtë sofër të pisët. Por ne nuk do të ulemi në këtë sofër. Është sofra e dy Shqipërive, njërës që përpëlitet për bukën gojës dhe tjetrës që kridhet në lukse të papara dhe të padëgjuara, për shkak të favoreve të pushtetit. Kësaj sofre i kemi rënë me shkelm dhe se pranojmë kurrë. Harta Rama-Meta, është lojë pazaresh”, theksoi kreu i PD-së.
Basha tha se zgjedhjet e 21 qershorit do të jenë edhe referendum për ndarjen e re territoriale. “Presim që KQZ të vlerësojë referendumin që kanë kërkuar më shumë se 75 mijë qytetarë. Ndaj zgjedhjet do të jenë referendum edhe për hartën e re. Se ata thonë “hartën e bëmë por për kompetencat do të flasim pas një viti”, prit gomar të mbijë bar. Kanë sjellë një ligj të turpshëm, amendime të turpshme në kuvend. Duan t’ia lidhin duart mirë, pushtetarëve të majtë e të djathtë, të mos nxjerrin dot as buxhet. Apo aty ku projekte madhore janë në vijim, të dalin edhe kundër ligjit. Qeveria bllokon bulevardin, se kanë mendjen të bëjnë golin e tyre por ti presin këmbët tjetrit”, tha Basha.