Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi bursën e parë shqiptare me kapital privat
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njoftoi se licencoi më datë 3 korrik 2017 shoqërinë “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a., (Albanian Stock Exchange) si bursa e parë shqiptare me kapital privat e licencuar në vend. Vendimi i Bordit të AMF-së erdhi pas vlerësimit në përputhshmëri me kërkesat e legjislacionit të të gjithë dokumentacionit lidhur me objektin e aktivitetit, kapitalin, organet drejtuese të shoqërisë, infrastrukturën dhe sistemet teknologjike të nevojshme për realizimin e aktivitetit të saj.
“Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. është një shoqëri aksionare, me tre aksionarë themelues: Banka Credins sh.a., me 42.5% të kapitalit, Banka Amerikane e Investimeve sh.a. me 42.5% të kapitalit dhe shoqëria AK Invest sh.a. me 15% të kapitalit. Kapitali i regjistruar i kësaj shoqërie do të jetë 50,000,000 lekë. Shoqëria “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. do të ketë si aktivitet kryesor:
-Tregtimin si bursë letrash me vlerë, për tregtimin e titujve dhe instrumenteve të tjerë financiarë;
-Realizimin e një platforme tregtimi shumëpalëshe;
-Edukimin, promovimin dhe dhënien e informacionit grupeve të interesuara lidhur me veprimtaritë e tregut të kapitalit, aktivitetin e emetuesve të titujve të listuar në bursën e titujve dhe aktivitetin e anëtarëve të bursës së titujve, etj.
Shoqëria “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. do të përdorë sistemin elektronik të quajtur “Quick Trade”, sistem i cili përdoret edhe nga Bursa e Lubljanës në Slloveni, si edhe nga Bursat e Shkupit, Sarajevës, Banja Lukës dhe Malit të Zi. Ky sistem mund të kryejë deri në 100,000 transaksione në ditë.
Në vitin e parë të aktivitetit, transaksionet e Bursës do të përqendrohen në tregtimin e titujve të qeverisë, si edhe tregtimin e aksioneve të shoqërive të dala nga privatizimi.
Në tregun shqiptar, krijimi i një burse është aktivitet progresiv për ekonominë e vendit, një pikë takimi midis njësive ekonomike për të gjetur kapital dhe rritur biznesin e tyre si edhe qeverisë për të gjetur financime për projekte zhvilluese dhe për pushtetin vendor, thekson AMF.
Parë në këndvështrimin makroekonomik për Shqipërinë, krijimi i një burse titujsh paraqet tregues konkretë dhe të qartë për nivelin e pjekurisë që ka arritur tregu financiar shqiptar. Ai gjithashtu, sipa AMF:
-Sjell mundësinë që kompanitë dhe qeveria te gjejnë financime afatgjata për projekte të cilat bankat mund të mos jenë në gjendje t’i financojnë;
– Bën të mundur që kompanitë me fitim të kenë mundësinë të rriten, duke nxjerrë në shitje aksionet e tyre, tek një numër i madh aksionarësh dhe duke i diversifikuar ato;
– Mundëson investitorët të investojnë me besim, transparencë të rritur në një treg të mirërregulluar.
Krijimi i bursës në Shqipëri do t’u japë mundësi investitorëve të vegjël të përfshihen në tregun e letrave me vlerë në mënyrë transparente. Kjo do të zvogëlojë tregtimin në platformat online, në disa raste edhe joprofesionale, të cilat mbartin njëkohësisht edhe rrezikshmëri më të lartë investimi për publikun.
Bursa do të jetë një mundësi e mirë për të tërhequr, në vitet në vazhdim, edhe kompani nga zona të tjera shqipfolëse, siç është tregu i Kosovës, duke shërbyer edhe si një platformë bashkuese për të gjithë investitorët shqiptarë.
Krijimi i saj do t’i japë mundësi edhe lidhjes së kësaj burse me projekte të filluara nga vende të tjera në rajon. Aktualisht, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka iniciuar një projekt rajonal ku është e përfshirë bursa e Sllovenisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Kroacisë e Serbisë dhe synon krijimin e një infrastrukture për tregtimin e letrave me vlerë në këto vende dhe për rritjen e bashkëpunimit mes tyre në këtë drejtim. Gjithashtu, BERZH ka investuar në këto bursa, duke blerë një pjesë të aksioneve. Integrimi në platformat e ngjashme rajonale do të jetë një shans më shumë për Shqipërinë për gjetjen e burimeve alternative të financimit, përfundon njoftimi i AMF.