Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike: Dy cenueshmëri kritike rrezikojnë funksionimin e faqeve dhe web-eve
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSK këtë të mërkurë ka dalë me një reagim për institucionet, bizneset dhe administratorët e sistemeve, lidhur me cenueshmërinë e funksionimit të faqeve dhe aplikacioneve web.
Sipas njoftimit, metodat e sulmit mund t’i lejojnë personave të paautorizuar të ekzekutojnë kod në distancë, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e të dhënave dhe sistemeve.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon institucionet, bizneset, organizatat dhe administratorët e sistemeve mbi dy cenueshmëri kritike në PHP, një teknologji e përdorur për funksionimin e faqeve dhe aplikacioneve web. Shfrytëzimi i tyre mund të mundësojë ekzekutimin e paautorizuar të kodit në distancë, duke rrezikuar sigurinë e sistemeve dhe të dhënave.
Cenueshmëritë, të identifikuara si CVE-2026-109618 dhe CVE-2026-109619, lidhen me mënyrën se si PHP menaxhon memorien dhe gjendjen e brendshme gjatë përpunimit të kërkesave. Të dyja klasifikohen si kritike, me vlerësim 9.2 nga 10 sipas CVSS v4.0.
Për adresimin e tyre janë publikuar përditësime të sigurisë. Administratorët duhet të verifikojnë versionet në përdorim dhe të instalojnë versionet e korrigjuara përkatëse:
Versionet PHP 5.4 deri në 8.1 janë gjithashtu të prekura dhe nuk marrin përditësime zyrtare nga projekti PHP.
Masat që duhet të ndërmerren
AKSK rekomandon verifikimin e menjëhershëm të versioneve të PHP-së në sistemet dhe aplikacionet në përdorim, si dhe instalimin e përditësimeve nga burimet zyrtare ose ofruesit përkatës. Krahas përditësimit, administratorët duhet të krijojnë kopje rezervë dhe të monitorojnë sistemet për aktivitete të dyshimta.
Përditësimi në një version të korrigjuar mbetet masa kryesore për adresimin e plotë të këtyre cenueshmërive. Masat e përkohshme për kufizimin e ekspozimit nuk e zëvendësojnë atë.
AKSK u bën thirrje të gjitha subjekteve që përdorin PHP të trajtojnë me përparësi zbatimin e këtyre masave, për të reduktuar rrezikun e komprometimit të sistemeve dhe për të mbrojtur të dhënat dhe shërbimet e tyre digjitale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.