FOKUS – Zelensky i gatshëm të pranojë ngrirjen e vijave aktuale të frontit për t’i dhënë fund luftës me Rusinë
UASHINGTON, 21 tetor /ATSH-DPA/ Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky ka deklaruar se është i gatshëm të pranojë ngrirjen e vijave aktuale të frontit si një mënyrë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
“Po, për momentin, duhet ta ngrijmë situatën”, tha Zelensky në një intervistë sot për televizionin amerikan “Fox News”.
“Mendoj se kjo është një mënyrë reale për t’i dhënë fund kësaj lufte”, u shpreh ai.
Deklarata erdhi pasi presidenti ukrainas u pyet nëse do të pranonte një marrëveshje paqeje që do ta ngrinte konfliktin në gjendjen aktuale, duke i lënë Ukrainës nën kontroll të paktën 75 për qind të territorit të saj.
Zelensky theksoi se ndalimi i luftimeve në vijat ekzistuese të frontit përbën minimumin që Ukraina kërkon nga Rusia në këtë fazë.
Ai shtoi se më pas Kievi do t’u kërkonte presidentit amerikan dhe vendeve evropiane garanci sigurie.
Qëndrimi i Zelenskyt nuk është i ri.
Ukraina ka propozuar vazhdimisht ndalimin e luftimeve përgjatë vijave aktuale të frontit.
Megjithatë, Moska i ka kundërshtuar më parë këto propozime, duke argumentuar se një armëpushim i tillë do t’i jepte Ukrainës kohë për t’u riarmatosur.
Presidenti rus Vladimir Putin pretendon se trupat ruse po përparojnë vazhdimisht, një vlerësim me të cilin priret të pajtohet edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Megjithatë, sipas raportimit, ushtria ukrainase ka arritur të ndalë përparimin rus gjatë muajve të fundit dhe madje të rimarrë terren në disa sektorë të frontit.
Zhvillimet në terren mbeten një faktor i rëndësishëm në përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit.
Ndërkohë, i dërguari amerikan Steve Witkoff i paraqiti sot presidentit rus Vladimir Putin propozime të reja për përfundimin e luftës, gjatë një takimi në Shën Peterburg.
Para dhe pas këtij takimi, Witkoff vizitoi Oslon, ku zhvilloi konsultime me udhëheqës evropianë.
Pas këtyre kontakteve, Moska deklaroi se është e gatshme të rifillojë muajin e ardhshëm bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.