AUV ndalon përkohësisht prodhimin e produktit “Pleskavicë Buquku 0.5 kg” – rezultatet laboratorike për E. coli të pakënaqshme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve zyrtare dhe në zbatim të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, ka konstatuar mosplotësim të kritereve mikrobiologjike në produktin “Pleskavicë Buquku 0.5 kg”, të prodhuar nga Buquku SH.P.K. në Pejë, me numër aprovues RKS-144, datë prodhimi 12.11.2026.
Në njoftimin e AUV-it bëhet e ditur se sipas raportit laboratorik Nr. 5640/2026, mostrat e analizuara janë konstatuar nivele të bakterit Escherichia coli (E. coli) mbi pragun referues të përcaktuar për higjienën e procesit të prodhimit.
“Rezultatet janë vlerësuar si të pakënaqshme, në raport me kriteret e përcaktuara në legjislacionin për kriteret mikrobiologjike në produktet ushqimore.
Inspektorët e AUV-së kanë urdhëruar ndalimin e përkohshëm të prodhimit të produktit në fjalë dhe tërheqjen e sasive të mbetura në treg. Njëkohësisht, operatori është obliguar të identifikojë burimin e kontaminimit, të dokumentojë gjurmueshmërinë e produktit dhe të ndërmarrë masa korrigjuese në lidhje me higjienën e prodhimit, kontrollin e lëndës së parë dhe funksionimin e sistemit të vetëkontrollit HACCP”, thuhet në njoftim.
AUV thekson tutje se prodhimi i këtij produkti nuk do të lejohet të rifillojë deri në eliminimin e mangësive të konstatuara, konfirmimin laboratorik të përmbushjes së kritereve mikrobiologjike dhe riverifikimin e kushteve të prodhimit nga AUV.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar mbikëqyrje të shtuar ndaj operatorëve me jokonformitete të përsëritura, rivlerësimin e profilit të tyre të rrezikut dhe verifikimin e efektivitetit të masave të ndërmarra gjatë kontrolleve të mëparshme.
Përgjegjësia për respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore bie mbi operatorët që prodhojnë dhe vendosin produkte ushqimore në treg. AUV ka detyrimin ligjor të mbikëqyrë respektimin e këtyre standardeve dhe të ndërmarrë masat përkatëse në mbrojtje të shëndetit dhe interesit të konsumatorëve”, thuhet më tej. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.