Ekonomia

Avancojnë punimet në lotin 2 të aksit Korçë-Ersekë, integron zonën në ofertën turistike të Korçës

Punimet në lotin e 2-të të aksit Korçë-Ersekë, një segment i rëndësishëm që lehtëson lëvizjen dhe shkurton në vetëm 20 minuta kohën kanë avancuar ndjeshëm.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot punimet në këtë aks që do të ofrojë një udhëtim panoramik përgjatë peizazheve të mrekullueshme të Kolonjës, duke e integruar më së miri krejt këtë zonë në ofertën turistike të Korçës.

“Aktualisht ky segment rrugor ka një gjatësi 45 km, ndërsa aksi i ri do të jetë 35 km, pra distanca do të shkurtohet me rreth 10 km. Jemi në muajin e 8-të të punimeve dhe është realizuar deri tani 57% e volumit. Kontrata parashikon që punimet të përfundojnë në tetor të vitit 2022, por kompania ka marrë angazhimin që t’i përfundojë ato një vit më herët, pra rruga parashikohet të jetë gati në vjeshtën e këtij viti”, deklaroi ministrja Balluku.

Ministrja informoi gjithashtu se shumë shpejt pritet të nisin punimet në lotin e 3-të të aksit Qukës-Qafë Plloçë me financim të Fondit Saudit, ndërsa tha se “jemi në diskutim me Bankën Islamike për sigurimin e fondeve për dy lotet e tjera”.

“Në planet tona në të ardhmen është edhe ndërtimi i bajpasit të Elbasanit që shkurton kohën për të përshkruar rrugën Tiranë-Korçë-Ersekë ndjeshëm. Të gjitha këto bashkë do të kenë një ndikim të madh te turizmi, bujqësia e për rrjedhim edhe te ekonomia e vendit”, deklaroi ministrja.

Kreu i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai deklaroi se e e gjithë zona e Ersekës është një zonë e rëndësishme për zhvillimin e agrokulturës por edhe turizmit për vetë veçoritë e natyrës.
“Rruga Korçë- Ersekë shkurton kohën me rreth 20 minuta duke e kthyer në një lagje të Korçës”, tha ai.

Ai theksoi se edhe punimet në rrugën Ersekë- Leskovik do të nisin shumë shpejt pasi BERZH ka akorduar fondet, ndërsa ka përfunduar rruga Leskovik-Përmet. Aksi i ri, tha ai, mbyll unazën e juglindjes dhe do të ketë një ndikim mjaft të madh në ekonominë e zonës.

Ai po ashtu deklaroi se një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend të bimëve medicinale dhe aromatike po mendon ngritjen e një fabrike përpunimi për eksport në Kanada.

“Ngritja e një fabrike të tillë me rrugën e vjetër nuk mendohej për shkak të kostos së madhe. Kjo infrastrukturë e re është shpëtim”, tha ai

Erseka është ndër të parat bashki në të gjithë vendin që ka një furnizim me ujë 24 orë si në qytete edhe në zonat rurale të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button