Avioni me liderë boshnjakë rikthehet në Uashington pas zjarrit në motor
Një avion i kompanisë ”Austrian Airlines”, i nisur dje në mbrëmje nga Uashingtoni për në Vjenë, në bordin e të cilit ndodhej një delegacion me zyrtarë të lartë boshnjakë, u detyrua të kthehej pas 15 minutash pas zjarrit në një prej motorëve të tij, tha televizioni boshnjak Tv N1.
”Në avion ndodhej edhe ministri i Jashtëm boshnjak, Igor Crnadak, kryeministri i Federatës Kroato-myslimane, Fadil Novalic, guvernatori i Bankës Qendrore të Bosnjes, Kemal Kozhariç, të cilët kishin marrë pjesë, në Uashington, në një takim të FMN-së”, tha ky televizion.
”Incidenti nuk pati të plagosur, por tronditja e pasagjerëve ishte e madhe”, shtoi ai.
Të premten e kaluar, avioni që transportonte presidentin serb, Tomislav Nikoliç për në Vatikan u detyrua të ulej sërish në Beograd, pas zjarrit në një prej motorëve të tij.