Avioni merr përpara një person në pistë gjatë ngritjes, dalin bisedat e pilotëve: Sapo goditëm dikë
Një person dyshohet se humbi jetën pasi u godit nga një avion i kompanisë Frontier Airlines në pistën e Denver International Airport, në SHBA, në një incident të rëndë që ndodhi gjatë ngritjes së avionit dhe që shkaktoi zjarr në motor si edhe evakuimin emergjent të pasagjerëve.
Sipas autoriteteve aeroportuale, personi kishte hyrë ilegalisht në zonën e sigurisë pasi kishte kapërcyer gardhin rrethues të aeroportit dhe më pas ishte futur në pistën e ngritjes dhe uljes së avionëve. Viktima nuk besohet të ketë qenë punonjës i aeroportit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:19 të së premtes, kur avioni i fluturimit 4345 i Frontier Airlines, një Airbus A321neo me destinacion Los Angeles International Airport, po nisej nga Denveri drejt Los Anxhelosit.
Sipas mediave amerikane dhe komunikimeve të publikuara nga kontrolli ajror, piloti raportoi menjëherë incidentin duke deklaruar: “Sapo goditëm dikë… kemi zjarr në motor”.
“Po ndalojmë në pistë. Sapo goditëm dikë. Na ka rënë flakë në motor”, dëgjohet të thotë piloti në komunikimin me kullën e kontrollit, sipas publikimeve të ATC.com.
Piloti informoi gjithashtu kontrollin ajror se në bord ndodheshin “231persona” dhe se “një individ po ecte nëpër pistë”. Kontrollori iu përgjigj se ekipet emergjente po lëviznin drejt vendngjarjes, ndërsa më pas piloti raportoi se “ka tym në aeroplan. Do të evakuohemi në pistë”.
Pak sekonda pas incidentit, personeli në tokë konfirmoi praninë e mbetjeve njerëzore në pistë, duke ngritur dyshimet se personi ishte goditur drejtpërdrejt nga avioni gjatë fazës së ngritjes.
Sipas autoriteteve, viktima u godit vetëm dy minuta pasi kishte hyrë në aeroport duke kaluar gardhin perimetral.
Frontier Airlines deklaroi se fluturimi 4345 ishte përfshirë në incident dhe se “u raportua tym në kabinë dhe pilotët ndërprenë ngritjen”. Kompania tha se nuk është ende e qartë nëse tymi ishte i lidhur drejtpërdrejt me përplasjen.
Në bord ndodheshin 224 pasagjerë dhe shtatë anëtarë ekuipazhi.
“Po e hetojmë këtë incident dhe po mbledhim më shumë informacion në koordinim me aeroportin dhe autoritetet e tjera të sigurisë”, deklaroi kompania ajrore.
Pasagjerët u evakuuan përmes rrëshqitëseve emergjente, ndërsa ekipet e emergjencës i transportuan me autobus drejt terminalit. Autoritetet aeroportuale thanë se 12 pasagjerë pësuan lëndime të lehta dhe pesë prej tyre u dërguan në spital për trajtim.
Një pasagjer, Jacob Athens, publikoi në rrjetet sociale video dhe fotografi nga momentet pas incidentit, ku shfaqeshin pasagjerët duke rrëshqitur nga avioni me çantat në shpinë dhe motori i dëmtuar i avionit.
“Ndërsa po ngriheshim, motori i aeroplanit shpërtheu. Kishte aq shumë tym sa nuk shihnim as 30 centimetra përpara nesh”, shkroi Athens në Facebook, duke shtuar se pasagjerët qëndruan për më shumë se një orë në pistë “pa transport apo ndihmë për shkak të të ftohtit”.
Video të tjera të publikuara në rrjet tregojnë pasagjerët duke dalë qetësisht nga korridori i avionit dhe duke përdorur rrëshqitëset emergjente për evakuim, ndërsa udhëzoheshin të largoheshin menjëherë nga avioni.
Aeroporti i Denverit bëri të ditur se National Transportation Safety Board është njoftuar për incidentin dhe se pista 17L, ku ndodhi përplasja, u mbyll për shkak të hetimeve. Pista u rihap të shtunën rreth orës 11:00.
A Frontier Airlines flight bound for LAX hit a person on the runway during takeoff from Denver International Airport on Friday.The Airbus A321 was taking off from runway 17L when it appeared to strike an individual walking on the runway. The pilot quickly aborted the takeoff.… pic.twitter.com/CtxCEYgYwl



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.